Ndërlidhjet

Sarkozi: Çmimi Nobel, kthim i Amerikës



Shpallja e presidentit amerikan Barak Obama si fitues i çmimit Nobel për Paqe për vitin 2009 ka ngjallur befasi, dhe është shoqëruar më reagime të ndryshme, kryesisht vlerësuese.

Dhënja e çmimit shënon “kthimin e Amerikës në zemrat e njerëzve të botës”, tha presidenti francez Nikola Sarkozi.

Kreu i Komisionit Evropian, Zhose Emanuel Barroso uroi ngrohtësisht Obaman për çmimin. “Presidenti Barroso i ka dërguar një mesazh të ngrohtë urimi presidentit Obama. Në mesazh Barroso pranon se ky çmim është për angazhimin e presidentit Obama ndaj vlerave të paqes e përparimit të njerëzimit”, tha Pia Hansen, zëdhënëse e Barrosos.

Autoriteti Palestinez mirëpriti lajmin duke theksuar se çmimi ngjall shpresë se do ta motivojë edhe më shumë për të çpuar përpara procesin e paqes në Lindjen e Mesme.

Këshilltri i presidentit iranian tha se çmimi i nderuar duhet të bëjë që Obama të fillojë të punojë për t’i dhënë fund padrejtësive në botë. Çmimi nuk ka kaluar pa kritika. Kritikët kanë thënë se Obama nuk ka arritur shumë në nivel botëror në këto 10 muaj të presidencës.

Vendimi është dënuar nga talibanët, zëdhënësi i të cilëve ka thënë se Obama “nuk ka marrë asnjë hap të vetëm drejt paqes në Afganistan”.
XS
SM
MD
LG