Ndërlidhjet

Ban kërkon 3500 trupa shtesë në Haiti



Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Mun, kërkoi nga Këshilli i Sigurimit që të dërgojë dhe 2 mijë trupa e 1500 policë shtesë në Haiti. Ky kontigjent do t’i shtohet trupave aktuale paqeruajtëse në Haiti, numri i të cilave arrin në 9000.

Ban vizitoi Haitin të djelën dhe u bëri thirrje haitianëve të kenë durim, derisa bota po ndërmerr veprime për të dërguar ushqim dhe ndihma mjekësore.
Burimet zyrtare druhen se numri i viktimave nga tërmeti i të martës së shkuar mund të shkojë në 200 mijë vetë. Qeveria haitiane tha se rreth 70 mijë njerëz janë nën rrënoja.

Gjatë ditës, vendet e Bashkimit Evropian kanë premtuar më shumë se 420 milionë euro në forma të ndryshme ndihme për Haitin.

“Ajo çfarë na është kërkuar në mënyrë specifike janë forcat policore, me përvojë në situata të tilla dhe të aftë të përballen me problemet e sigurisë që dalin në këto kushte. Kjo është një kërkesë në të cilën po punojmë”, tha Kethrin Eshton, eurokomisionerja për politikë të jashtme e Bashkimit Evropian.

Kryqi i Kuq Ndërkombëtar raporton se plaçkitjet dhe dhuna janë në rritje në rrugët e Porto Prinsit, kryeqytetit haitian.
XS
SM
MD
LG