Nënpresidenti amerikan, Xho Bajden, u takua sot në Bregun Perëndimor me udhëheqësit palestinezë, ndërsa bisedimet pritet të dominohen nga miratimi i planeve të qeverisë izraelite për ndërtimin e 1.600 shtëpive të reja për hebrejtë në Jerusalimin lindor.
Në takimin me nënpresidentin Bajden, kryeministri palestinez, Salam Fajad, tha se hapi i Izraelit është “i dëmshëm” dhe përbën “sfidë të madhe” për rifillimin e bisedimeve paqësore.
Ndërkohë, zëdhënësi i qeverisë së Izraelit, Mark Regev, i hodhi poshtë spekulimet se njoftimi i ministrisë së brendshme ishte hap i qëllimshëm nga ana e kabinetit izraelit për të minuar çdo mundësi për bisedimet paqësore.
“Për ta kthyer procesin paqësor në binarët e tij, kjo qeveri e Izraelit dhe kryeministri Netanjahu kanë shkuar më larg se çdo qeveri e mëparshme duke vënë kufizime në zgjërimin e vendbanimeve. Por duhet të jemi të qartë: nga pikëpamja e Izraelit, Jerusalemi nuk është vendbanim. Ai është kryeqyteti ynë dhe do të mbetet i tillë”, tha Regev.
Palestinezët së fundmi janë dakorduar të marrin pjesë në negociata indirekte me Izraelin me ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara.
Bisedimet izraelito-palestineze u pezulluan 14 muaj më parë, pjesërisht për shkak të kundërshtimeve palestineze ndaj ndërtimit të vendbanimeve izraelite.