Nënpresidenti amerikan, Xho Bajden, ripërsëriti sot se vendimi i Izraelit për t’i zgjëruar vendbanimet në Jerusalem e “minon” besimin e nevojshëm për bisedime paqësore.
Ai i bëri këto komente pas takimit me presidentin e Autoritetit palestinez Mahmud Abas në Ramallah të Bregut Perëndimor.
“Është detyrë e të dyja palëve që të ndërtojnë një atmosferë të mbështetjes për negociatat dhe të mos i ndërlikojnë ato. Vendimi i qeverisë së Izraelit për t’i shtyrë përpara planet për ndërtimin e njësive të reja të banimit në Jerusalemin Lindor e minon këtë besim, për të cilin tash kemi aq shumë nevojë në mënyrë që t’i fillojmë negociatat fitimprurëse. Kjo është arsyeja që unë e dënova këtë veprim”, tha Bajden.
Nënpresidenti amerikan gjithashtu tha se palestinezët meritojnë një shtet të pavarur “të qëndrueshëm”.
Komentet e tij u bënë një ditë pasi Izraeli i shpalli planet për ndërtimin e 1.600 shtëpive të reja në Jerusalemin Lindor.
Liderët palestinezë, të cilët fundmi janë dakorduar të marrin pjesë në negociata indirekte me Izraelin me ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara, thanë se hapi i Izraelit është “i dëmshëm” dhe përbën “sfidë të madhe” për rifillimin e bisedimeve paqësore.
Bisedimet izraelito-palestineze u pezulluan 14 muaj më parë, pjesërisht për shkak të kundërshtimeve palestineze ndaj ndërtimit të vendbanimeve izraelite.