Ndërlidhjet

Steinberg: Pavarësia e Kosovës, forcë që stabilizon rajonin



Zv/sekretari amerikan i Shtetit, James Steinberg tha se pavarësia e Kosovës ka qenë një forcë për stabilitetin në rajon dhe se Kosova ka bërë përparim të jashtëzakonshëm në dy vitet e saj të para si shtet i pavarur.

Diplomati i lartë amerikan i ka bërë këto komente në prag të vizitës së tij në Bosnje, Serbi dhe Kosovë.

Steinberg tha se një prej çështjeve për të cilën ai dëshiron të bisedojë është si të lehtësohet puna e EULEX-it në Kosovë dhe si të ndërtohen ura mes dy komuniteteve.

Me gjithë mosmarrëveshjet zyrtare ekzistojnë interesa të përbashkëta prandaj gjatë vizitës do të bisedohet në mënyrë pragmatike për shtimin e dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës, ka thënë Steinberg.

Ai ka shtuar se Shtetet e Bashkuara janë shumë të inkurajuara për faktin që fqinjët e Kosovës po ndërmarrin hapa pozitive ndaj shtetit të ri duke vendosur marrëdhënie diplomatike dhe duke shkëmbyer ambasadorë me Kosovën si në rastin e Malit të Zi dhe të Maqedonisë.

Kjo, tha zv/sekretari i shtetit, flet për një kuptim praktik në Ballkan lidhur me të ardhmen e Kosovës.

Shtetet e Bashkuara, tha Steinberg, dëshirojnë të shohin që kosovarët të gëzojnë po ato përfitime që mund t'i kenë edhe vendet tjera në rajon.
XS
SM
MD
LG