Ndërlidhjet

Bruksel: Vazhdon dialogu Kosovë-Serbi


Në Bruksel, pas pak çastesh, pritet të vazhdojë dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë pas dy ditësh bisedime maratonike.

Të enjten, raundi i dialogut u ndërpre vetëm përkohësisht për të pasur kohë për darkë për delegacionin e Kosovës dhe atë të Serbisë, ndërsa do të vazhdojë në orën 21 e 30, mirëpo askush nuk mund të parashohë se kur mund të përmbyllet.

Të gjitha burimet konfirmojnë se ka një presion të jashtëzakonshëm nga ana e Bashkimit Evropian që në këtë raund të ketë marrëveshje për menaxhimin e integruar të kufijve dhe për pjesëmarrjen e Kosovës në forumet rajonale.

Burime të BE-së pohojnë se është e domosdoshme të ketë marrëveshje, në mënyrë që të rriten gjasat për Serbinë për të marrë statusin e kandidatit.

Ndërkohë, të enjten ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian kanë diskutuar për Kosovën dhe Serbinë dhe në paraqitjet e tyre shumë ministra kanë thënë se duhet të ketë, jo vetëm përparim, por edhe rezultate konkrete në dialog në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Edhe përfaqësuesja e Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Ketrin Eshton, duke folur para ministrave, ka thënë se ministrat presin që të ketë rezultate konkrete – pra, marrëveshje.

Ajo ka thënë se ka përparim, mirëpo duhet bërë më shumë përpjekje, si nga Prishtina, ashtu edhe nga Beogradi, për të arritur edhe marrëveshje.

Situata në veri të Kosovës, po ashtu, ka qenë temë e diskutimeve të ministrave të Jashtëm të BE-së. Ministrat nga shtetet që kanë ushtarët atje, kanë qenë mjaft kritikë ndaj Serbisë, sidomos Gjermania dhe Austria, duke thënë se Serbia ka ndikim në strukturat në veri të Kosovës dhe presidenti Tadiq, pas thirrjeve për të hequr barrikadat, duhet të dëshmojë se është në gjendje edhe të veprojë dhe jo vetëm të japë deklarata.

Pritet që javën që vjen të vendoset për t’i dhënë ose jo statusin e kandidatit Serbisë, ndërkaq në këtë moment gjasat ende janë të paqarta.

Ndonëse shumica e shteteve anëtare e mbështesin dhënien e statusit të kandidatit Serbisë, Gjermania insiston se Serbia ende nuk e ka merituar këtë.

Mirëpo, shtetet që e mbështesin Serbinë shpresojnë se ndonjë kthesë në këtë raund të dialogut do të mund të ndihmojë për të dhënë statusin e kandidatit Serbisë.

Burime nga BE-ja thonë se nëse nuk do të ketë marrëveshje gjatë së enjtes, mund të ndodhë që dialogu të vazhdojë edhe të premten, mirëpo rreth kësaj në këto momente ende nuk mund të themi diçka konkrete.
XS
SM
MD
LG