Ndërlidhjet

Thaçi takon Berishën në Tiranë


Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi sot pasdite në Tiranë ka zhvilluar një takim me kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, Sali Berisha.

Në një komunikatë për media të Qeverisë thuhet se temë kryesore e takimit ishin zhvillimet aktuale politike në Kosovë, forcimi i marrëdhënieve mes dy vendeve, përmbushja e plotë e agjendës evropiane nga ana e Kosovës dhe Shqipërisë dhe tema tjera me interes.

Në takimin e sotëm, sipas njoftimit të kabinetit qeveritar, kryeministri Thaçi i transmetoi kryeministrit Berisha mesazhet e fuqishme të kancelares gjermane Angela Merkel, që i dha gjatë takimit të sotëm në Prishtinë.

“Mesazhet e kancelares Merkel janë mesazhet e mbështetjes së Gjermanisë për zhvillimin e mëtejmë të Kosovës në të gjitha sferat, mesazhet e mbështetjes për integritetin e saj territorial dhe për perspektivën evropiane të Kosovës”, citohet të ketë thënë Thaçi.

Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Sali Berisha, thuhet se i ka shprehur kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, mbështetjen e vazhdueshme të Qeverisë së Shqipërisë për vizionin evropian të Qeverisë së Kosovës, duke potencuar në veçanti përkushtimin e saj për bashkëpunim rajonal me të gjithë fqinjtë, duke përfshirë edhe përkushtimin e Kosovës për dialog teknik me Serbinë, si dy shtete të pavarura.
XS
SM
MD
LG