E premte, shtator 19, 2014 Kosova 07:45

Lajmet

Dënohen komplotistët e sulmit kundër gazetës daneze

30.01.2012
Drejtësia norvegjeze ka dënuar tre persona, të gjetur fajtorë për komplotimin e një sulmi terrorist kundër gazetës daneze, e cila ka publikuar karikaturat e Profetit Muhamed.

Gjykata në Oslo ka dënuar Mikael Davudin me shtatë vjet heqje lirie dhe bashkëpunëtorin e tij, Shavan Sadek Said Bujak, me tre vjet e gjysmë.

Personit të tretë, David Jakobsen – që ka ndihmuar në sigurimin e eksplozivit – i janë shqiptuar katër muaj burg.

Davud është shtetas norvegjez me origjinë ujgure, Bujak është kurd irakian, ndërsa Jakobsen është uzbek me shtetësi norvegjeze.

Në dhjetor të 2010-ës, policia daneze ka arrestuar katër persona që kishin lidhje me një komplot të dyshuar ndaj gazetës “Jyllands Posten”, e cila ka shkaktuar zemërim të madh në mesin e myslimanëve nëpër botë, kur ka publikuar karikatura të Muhamedit në vitin 2005.