E dielë, shtator 21, 2014 Kosova 20:07

Lajmet

VV: Rezoluta- tentim për të mbuluar koncesionet me Serbinë

30.01.2012
Lëvizja parlamentare Vetëvendosje, ka thënë se nuk mbështet projekt-rezolutën e propozuar nga PDK-ja për fundin e pavarësisë së mbikëqyrur, e cila pritet të votohet në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit që mbahet të martën.

Ky grup parlamentar ka sqaruar se është për përfundimin e mbikëqyrjes së pavarësisë, por e ka kundërshtuar rezolutën.

“Pika më problematike e tekstit të propozuar përmes kësaj rezolute, megjithatë, është ajo që kërkon nga Kuvendi të zotohet se do t’i përmbushë të gjitha obligimet që dalin nga procesi i përmbylljes së pavarësisë së mbikëqyrur. Rezoluta nuk saktëson se cilat do të jenë obligimet. Në këtë mënyrë kërkohet nga Kuvendi që të zotohet blanko për një proces me shumë të panjohura dhe shumë rreziqe. Kjo madje, është dhe formë jo demokratike e të votuarit sepse kërkohet nga deputetët të zotohen se do të votojnë në favor të ligjeve për të cilat nuk e dinë se çka përmbajnë”, thueht në komunikatën për media të kësaj lëvizjeje.

“Kohëve të fundit janë shtuar zërat për një zgjidhje politike për veriun e vendit. Madje është deklaruar qartë se procesi i përmbylljes së mbikëqyrjes është i lidhur ngushtë me veriun e Kosovës. Për më tepër kjo përmbyllje është e lidhur ngushtë edhe me procesin negociator mes Kosovës dhe Serbisë që po ndodh në Bruksel. Konsensusi në të cilin po insistohet këto ditë, dhe me këtë rezolutë, është konsensus për këto dy çështje”, thuhet në komunikatë.

“Kjo rezolutë është një tentim i hapur i qeverisë së Thaçit t’i mbulojë koncesionet që ai është gati t’i bëjë në negociatat me Serbinë, që kështu të kontrabandohet statusi i veçantë për veriun e vendit si çmim për përmbylljen e mbikëqyrjes së pavarësisë”, thuhet në njoftimin për media të Lëvizjes Vetëvendosje.