E premte, prill 18, 2014 Kosova 23:11

Lajmet

Jahjaga: Ngjarje e rëndë dhe e trishtueshme

Atifete Jahjaga, presidente e Kosoves

Madhësia e shkronjave - +
11.02.2012
Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, përmes një deklarate për media, ka shprehur dhimbjen për humbjen e jetëve të anëtarëve të familjeve Reka në fshatin Restelicë të Dragashit, si pasojë e rënies së ortekut të borës, si dhe për fatin e personave që kanë mbetur të ngujuar në shtëpitë e tyre.
 
“Vdekja e anëtarëve të familjes Reka dhe zënia nga orteku i borës i disa anëtarëve të tjerë të këtyre familjeve, është një ngjarje e rëndë dhe e trishtueshme. Duke ndjerë fuqishëm dhembjen për të vdekurit, angazhohem me të gjitha forcat që qytetarët e tjerë të shpëtohen pa pasoja nga kjo tragjedi”, thuhet në deklaratën e presidentes.

“Institucionet e Republikës së Kosovës dhe mekanizmat ndërkombëtarë, po bëjnë gjithçka që është e mundur që të ngujuarit të nxirren sa më shpejt. Kam biseduar me Ministrin e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe me Komandantin e forcës paqeruajtëse, KFOR, për t’u dhënë gjithë ndihmën e mundshme për të shpëtuar jetët e qytetarëve të ngujuar”, citohet të ketë thënë presidentja Jahjaga.

“Çmoj lart përkushtimin e të gjithë pjesëtarëve të FSK-së për angazhimin e tyre të jashtëzakonshëm për të çelur rrugën drejt fshatit Restelicë dhe për të ndihmuar qytetarët e kësaj ane. Do të jem në kontakt të vazhdueshëm me të gjitha institucionet dhe në veçanti me FSK dhe përkrah qytetarëve të Republikës së Kosovës në këto ditë të vështira të motit të keq që ka kapluar vendin tone”, ka thënë përmes një deklarate për media, presidentja Jahjaga.