Ndërlidhjet

Kuper: Bashkëpunimi rajonal, ekstremisht i rëndësishëm


Një ditë para rinisjes së dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, ndërmjetësuesi evropian në këtë proces, Robert Kuper, ka numëruar dy çështje që pritet të jenë pjesë e agjendës. Sipas tij, bëhet fjalë për bashkëpunimin rajonal dhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura.

“Me rëndësi të madhe, jo e vetmja, është marrëveshja për menaxhimin e integruar të kufirit, zbatimi i së cilës paraqet një proces të komplikuar”, ka thënë Kuper në një bisedë të shkurtër me gazetarët në Bruksel.

Diplomati evropian i ka dhënë rëndësi të veçantë bashkëpunimit rajonal, duke kujtuar se edhe vetë “BE-ja është e bazuar në një gjë të tillë”.

“Politika jonë në Ballkan, gjatë dhjetë vjetëve të fundit ose edhe më gjatë, është përshkruar si ‘evropianizim’, çfarë do të thotë se bashkëpunimi rajonal është ekstremisht i rëndësishëm”, ka theskuar Kuper.

Pjesëmarrja e Kosovës në nismat rajonale ka çuar në ndërprerjen për një kohë të dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Autoritetet kosovare kanë këmbëngulur në përfaqësimin e tyre si shtet, përderisa zyrtarët serbë kanë insistuar në Rezolutën 1244.

Së fundmi, Qeveria e Kosovës dhe kryeministri i saj, Hashim Thaçi, janë pajtuar që Kosova në nismat rajonale të përfaqësohet me një fusnotë, ku figuron Rezoluta 1244, ndërsa krahas saj edhe Deklarata e Pavarësisë dhe mendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për ligjshmërinë e aktit të shpalljes së pavarësisë.

“Pjesëmarrja e plotë e Kosovës në bashkëpunimin rajonal e bën këtë të fundit më efektiv. Një gjë e tillë është mirë për Kosovën edhe për rajonin në tërësi”, ka thënë Kuper sot në Bruksel.

Duke u kthyer te pika e dytë e agjendës, përkatësisht zbatimi i marrëveshjeve të arritura deri më tash, Kuper ka thënë se ato nuk kanë kupim nëse nuk implementohen.

“Ka pasur progres në implementimin e tyre, por duhet të bëhet edhe më tepër. Ne duhet të fokusohemi më shumë në çështjen e menaxhimit të integruar të kufijve, që marrëveshjen politike ta shndërrojmë në diçka operacionale”, ka thënë Kuper.

Marrëveshja për menaxhimin e integruar të kufirit është arritur në fillimin të dhjetorit të kaluar, përkatësisht në raundin e tetë të bisedimeve.

Negociatat për çështje teknike ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës kanë nisur në mars të vitit të kaluar. Ato janë zhvilluar me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe pjesëmarrjen e Shteteve të Bashkuara.
XS
SM
MD
LG