Ndërlidhjet

Opozita maqedonase, proteston kundër dhunës në Parlament


Foto Arkivi
Foto Arkivi
Partitë opozitare maqedonase, kanë filluar sot në orët e pasditës një protestë në Shkup, pas ngjarjeve të fundit kur deputetë të këtyre partive u dëbuan me forcë gjatë miratimit e buxhetit.

Kryetari i LSDM-së, Branko Cërvenkovski tha se protestat janë në kuadër të masave të paralajmëruara për pa-dëgjueshmëri qytetare.

“Prej sot fillojmë formën e re të veprimit, në pajtim me rastet dhe karakterin e këtij regjimi. Do të organizojmë dhe do të mbështesim çdo lloj pa-dëgjueshmërie dhe rezistence qytetare, do të organizojmë dhe do të mbështesim çdo lloj mitingu, proteste dhe bllokade të udhëkryqeve dhe objekteve”, ka deklaruar Cërvenkovski i cili ka shtuar se që nga dje Maqedonia nuk është shtetet demokratik por është shtet policor.

Ai tha se partia e tij do të ngrej padi penale ndaj kryeparlamentarit Trajko Veljanovski për shkelje të Kushtetutës dhe rregullores për punë të parlamentit. Nga ana tjetër në një paraqitje, kryeministri Nikolla Gruevski e ka akuzuar liderin e opozitës për inicimin e dhunës dhe të kaosit në shtet ndërsa e ka krahasuar me ish-liderin e përmbysur të Libisë.

“Ai po vepron në stilin e Gadafit, jeton në një botë të tij, me një dozë serioze të altruizmit ku beson se i gjithë populli është me të, se të gjithë e përkrahin dhe se duhet me forcë të merr pushtetin. Nga ajo që degjova, Cërvenkovski nuk doli me kërkesa, por vetëm shprehu dëshiron të vijë në pushtet me dhunë, me bllokada, kërcënime, me tubime, me nxitje dhe tensionim të situatës”, ka deklaruar Gruevski.

Lidhur me situatën e tensionuar përmes një komunikate është prononcuat edhe Bashkimi Demokratik për Integrim që është pjesë e qeverisë duke ftuar opozitën maqedonase që, të ulë tensionet me qëllim të siç thuhet, krijimin e një ambienti të përshtatshëm për vazhdimin e reformave dhe plotësimin e rekomandimeve të përcaktuara në Konkluzoinet e Këshillit të ministrave të BE-së.

“Rrezikimi i funksionimit të institucioneve të sistemit është në kundërshtim me rekomandimet e Këshillit të ministrave të BE-së që tre mujorshi i parë i vitit 2013 ti përkushtohet ekskluzivisht dinamizimit të reformave dhe zgjidhjes së kontesteve, si parakushte për hapjen e negociatave për anëtarësim në NATO dhe BE”, thuhet në reagimin e BDI-së.
XS
SM
MD
LG