Izraeli dhe militantët palestinezë në Rripin e Gazës e kanë pranuar një armëpushim “të pakufizuar”, që ka për synim rifillimin e bisedimeve për ta përfunduar konfliktin shtatëjavësh në Gaza.
Armëpushimi ka filluar mbrëmë dhe është arritur me ndërmjetësimin e Egjiptit.
Sipas marrëveshjes, Izraeli do ta zbusë bllokadën e Rripit të Gazës, për të lejuar hyrjen e ndihmave humanitare dhe materialeve ndërtimore në këtë territor, që është nën kontroll të lëvizjes Hamas.
Bisedimet indirekte për çështjet e tjera, përfshirë kërkesën e Hamasit për përfundimin e bllokadës izraelite të Rripit të Gazës dhe kërkesën e Izraelit për çarmatosjen e Hamasit, do të fillojnë në Kajro, brenda një muaji.
Më se 2,100 palestinezë, shumica prej tyre civilë, janë vrarë gjatë 50 ditëve të luftimeve. Janë vrarë edhe 69 izraelitë, shumica prej tyre ushtarë.