Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, është takuar sot në Abud Dabi me princin e kurorës, Sheikh Muhammed bin Zayed al Nayhan.
Zonja Jahjaga po qëndron në vizitë në Emiratet e Bashkuara Arabe me ftesë të tij, njofton faqja në Internet e presidencës së Kosovës.
Gjatë takimit, ata biseduan për avancimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve në fushën e ekonomisë dhe veçanërisht në shtimin e investimeve të Emirateve të Bashkuara Arabe në Kosovë, në bujqësi, energji dhe insfrastrukturë, përmes projekteve konkrete.
Sheikh al Nayhan e ka konfirmuar mbështetjen e vendit të tij për Kosovën dhe ka shprehur përkushtim për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.
Presidenca e Kosovës ka njoftuar se zonja Jahjaga, me ftesë të princit, e ka ndjekur edhe garën automobilistike Formula 1 në Abu Dabi.