Ndërlidhjet

Mustafa: Sulmi i opozitës ndaj policisë - sulm kundër shtetit


Isa Mustafa, foto nga arkivi
Isa Mustafa, foto nga arkivi

Qeveria e Kosovës ka shqyrtuar të mërkurën gjendjen në vend, pas protestave që eskaluan në dhunë një ditë më parë në Prishtinë. Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka përsëritur se organizatorët e këtyre protestave provokuan dhunën për qëllimet e tyre politike.

"Shkaktar i dhunës së djeshme në qendër të Prishtinës, ishte ultimatumi i dhënë nga ana e organizatorëve të protestuesve, për t’u hequr kordonët e policisë që mbronin institucionet shtetërore", ka thënë kryeministri Isa Mustafa.

"Sulmi i opozitës ndaj Policisë së Kosovës, është sulm kundër shtetit të së drejtës, është sulm kundër vlerave më të larta të demokracisë, dhe është sulm kundër institucioneve të pavarura", është shprehur Mustafa.

Protesta e thirrur nga nga partitë politike në opozitë, ishte organizuar në kërkim të shkarkimit të ministrit për Komunitete dhe Kthim në qeverinë e Kosovës, Aleksandar Jabllanoviq, dhe shpalljes së kombinatit metalurgjik “Trepça” si ndërmarrje e veçantë publike.

Zoti Mustafa ka ritheksuar sot se ministri në fjalë ka kërkuar falje për deklaratat e tij të pamatura. Jabllanoviq i kishte quajtur më 6 janar "egërsira" protestuesit në Gjakovë, të cilët po përpiqeshin të pengonin disa pelegrinë serbë që të vizitojnë Gjakovën me rastin e Krishtlindjeve Ortodokse.

Për kombinatin Trepça ndërkaq, zoti Mustafa tha se ky kombinat është në Kosovë, i përket vetëm Kosovës dhe nuk ka arsye për protesta e shqetësime.

"Në protestën e djeshme u pa qartë se organizatorët kishin qëllim çuarjen përpara të agjendës së tyre politike, synimin e qartë - pushtetin pa votën e popullit", ka deklaruar kryeministri Mustafa.

XS
SM
MD
LG