Liderët e BE-së dhe presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko e kanë hapur samitin e sotëm në Kiev.
Samiti Ukrainë-BE, është i pari prej nënshkrimit të marrëveshjes së Asociimit vitin e kaluar, pas largimit nga pushteti të presidentit, Viktor Yanukovych, që pasoi aneksimin e Krimesë nga Rusia.
Poroshenko, para samitit ka thënë se ai shpreson që zyrtarët e BE-së do të dërgojnë “sinjale të fuqishme në përkrahje të Ukrainës dhe integrimit të saj evropian”.
Presidenti i BE-së, Donald Tusk, i ka thënë Poroshenkos se Ukraina, ndonëse e ka “një armik të fuqishëm”, ky shtet ka edhe “shumë miq”.
Tusk ka thënë se Ukraina mund të “llogaris në ndihmën e tyre, porse kjo nuk do të jetë e mjaftueshme nëse ju nuk e ndryshoni Ukrainën”.
Bisedimet e sotme pritet të përfshijnë statusin e marrëveshjes së Minskut, që mundësoi armëpushimin në lindje të Ukrainës.
Liderët gjithashtu pritet të trajtojnë statusin e ekonomisë dhe reformave politike në Ukrainë, ndihmën financiare për Kievin dhe kërkesën e Poroshenkos për paqeruajtës evropianë që do të ndihmonin me monitorimin e armëpushimit.