Ndërlidhjet

Mitrovicë: Edhe një trup i pajetë në lumin Ibër


Pamje nga ura mbi lumin Ibër në Mitrovicë
Pamje nga ura mbi lumin Ibër në Mitrovicë

Një trup i pajetë i një personi është gjetur ditën sot në lumin Ibër. Lajmin e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, shefi i operativës së Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Zheljko Bojiq.

“Rreth orës 13, në lumin Ibër, afër fshatit Rudare, është gjetur një trup i pajetë i gjinisë mashkullore, nga ana e ekipit për shpëtim dhe zhytësit. Ekipet e hetimit menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes, përfshirë edhe ekipin e forenzikës, si dhe kolegët nga mjekësia ligjore, të cilët e kanë marrë trupin për obduksion dhe për të vërtetuar identitetin”, ka thënë Bojiq.

Ai ka theksuar se nuk mund të flasin asgjë për identitetin e viktimës, përderisa këtë nuk e përcaktojnë zyrtarisht zyrtarët e mjekësisë ligjore.

Ndryshe, edhe gjatë ditës së hënë, në lumin Ibër është gjetur trupi i pajetë i një personi, identiteti i të cilit ende nuk është bërë i ditur nga organet e rendit.

Në 15 ditët e fundit, nga lumi Ibër janë nxjerrë tre trupa të pajetë.

XS
SM
MD
LG