Dy shpërthime pranë stacionit kryesor të trenave në Ankara kanë lënë së paku 86 njerëz të vrarë dhe 186 të plagosur, ka bërë të ditur ministri turk i Shëndetësisë.
Shënjestër e shpërthimeve ka qenë një marshim që bënte thirrje për t’i dhënë fund dhunës midis forcave turke dhe rebelëve të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit.
“E dënoj fuqishëm këtë sulm të urryer mbi unitetin dhe paqen e vendit tonë”, ka thënë presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan.
“Pa marrë parasysh origjinën, qëllimin apo emrin, ne jemi kundër çdo forme të terrorizmit apo organizatave terroriste”, ka thënë Erdogan.
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Ankara ka dënuar po ashtu shpërthimet.
“Të gjithë ne duhet të qëndrojmë së bashku kundër terrorit”, ka thënë ambasada amerikane përmes një mesazhi në Twitter.