Në Tajvan sot po mbahen zgjedhjet madhore presidenciale, dhe mund të ndodhë që për të parën herë në postin më të lartë të zgjedhet një femër.
Intelektualja, Tsai Ing-wen, lidere e Partisë Demokratike Progresive në opozitë, është favorite kryesore në zgjedhjet e sotme.
Fitorja e saj do të ishte mbështetje e fuqishme për kampin pro pavarësisë në këtë ishull.
Të drejtë të votës kanë më se 18 milionë zgjedhës, ndërsa shumica prej tyre e kanë kritikuar partinë në pushtet, Kuomintang, se ka dështuar në planin ekonomik dhe se ka lëvizur shumë afër Kinës.
Kina e konsideron Tajvanin provincë të ndarë dhe është kërcënuar se do ta kthejë nën sovranitet edhe me forcë nëse është e nevojshme.
Liderja opozitare, Tsai Ing-wen, ka shprehur përkushtim për ta mbajtur status-kuon e pavarësisë de-facto, për këtë ishull me 23 milionë banorë, por ka refuzuar ta mbështesë parimin se Tajvani dhe Kina janë pjesë e një kombi të vetëm që eventualisht mund të bashkohen.
Tajvani është ndarë nga Kina gjatë luftës civile në vitin 1949.