Transferimi i gjashtë të dënuarve nga burgu ushtarak i Shteteve të Bashkuara në Guantanamo për në Uruguaj, është vënë në pritje, së paku përkohësisht.
Zëvendëssekretari i presidencës së Uruguajit, Diego Canepa, ka thënë se nuk beson se vendi i tij do të jetë i gatshëm për pranimin e të burgosurve për së paku dy-tre muaj të tjerë, derisa Uruguaji të mbarojë me zgjedhjet presidenciale, që do të mbahen në fund të tetorit.
Presidenti i Uruguajit, muaj më parë, ka pranuar një kërkesë për të marrë gjashtë të burgosurit, si gjest humanitar, por një anketë në muajin korrik ka treguar se dy të tretat e popullsisë së Uruguajit nuk duan që të burgosurit e Guantanamos të jetojnë në vendin e tyre.
Gjashtë të burgosurit, katër sirianë, një tunizian dhe një palestinez, nuk janë akuzuar për asnjë krim dhe zyrtarët thonë se ata nuk paraqesin asnjë kërcënim.