Njëri prej njerëzve më të pasur në Rusi, Vladimir Yevtushenkov, është vendosur nën arrest shtëpiak, në një rast i cili krahasohet me goditjen e autoriteteve kundër kompanisë së naftës, Yukos, para më tepër se një dekade.
Zoti Yevtushenkov është i dyshuar për pjesëmarrje në skemën e pastrimit të parave, kur kompania e tij, AFK Sistema, ka siguruar aksione në Bashneft, një kompani për prodhimin e naftës në Rusi.
Kompania AKF Sistema , nëpërmjet një deklarate, ka thënë se akuzat e Komitetit Hetues të Rusisë i konsideron “totalisht të pabaza” dhe ka shprehur përkushtim për të luftuar kundër tyre.
Mediat ruse kanë raportuar në muajin qershor se kompania më e madhe ruse e naftës, e kontrolluar nga shteti, Rosneft, e kishte shqyrtuar blerjen e Bashneftit.
Rosneft udhëhiqet nga Igor Sechin, person i fuqishëm dhe për shumë kohë ndihmës i presidentit të Rusisë, Vladimir Putin.
Alexander Shokhin, shef i Sindikatës Ruse të Industrisë dhe Ndërmarrjeve, tha se arresti shtëpiak i Yevtushenkos “padyshim duket sikur Yukos numër 2”.
Dmitry Peskov, zëdhënmës i Putinit, me të shpejtë e ka hedhur poshtë këtë krahasim si “jopërkatëse dhe të pabazë”.