Gjykatësit francezë kanë hedhur poshtë akuzat kundër nëntë personave të afërt me një grup opozitar iranian, i cili ndodhet në mërgim.
Zyra e prokurorit në Paris ka thënë se rasti kundër Organizatës Mujahedin-e Khalq (MKO) është mbyllur.
Udhëheqësja e krahut politik të kësaj organizate me seli në Paris, Maryam Rajavi, e ka cilësuar vendimin si “fitore të drejtësisë”.
Ajo ka qenë në mesin e dhjetëra simpatizantëve të arrestuar nga policia në Paris në vitin 2003, nën dyshimet për lidhje të mundshme me terrorizmin dhe spastrim parash.
Teherani e konsideron MKO-në si organizatë terroriste.
MKO ka mbajtur anën e Irakut gjatë luftës Iran-Irak më 1980-1988 dhe ka qenë prapa disa sulmeve kundër zyrtarëve iranianë në vitet 1980.