Presidenti i Egjiptit, Abdul Fattah al-Sisi, ka thënë se vendit të tij i kërcënohet ekzistenca nga xhihadistët.
Komentet vijnë një ditë pasi 33 forca të sigurisë janë vrarë nga sulmet në rajonin e Sinait.
Kjo ka qenë dhuna më e përgjakshme antishtetërore, prejse presidenti islamik, Mohammed Morsi, është përmbysur nga pushteti vitin e kaluar.
Sisi ka thënë se sulmet kanë për qëllim të thyejnë Egjiptin dhe egjiptianët.
“Dua të shpreh ngushëllimet e mia për të gjithë egjiptianët dhe ushtrinë. Por, është shumë e rëndësishme të dihen motivet prapa këtyre sulmeve. Më lejoni të them se bëhet fjalë për motive të jashtme. Është dhënë mbështetje nga jashtë për kryerjen e këtij sulmi kundër ushtrisë”, ka thënë Sisi.
Egjipti ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme në Sinai.