Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka thënë se duhet ende shumë punë për t’u bërë në mënyrë që Bashkimi Evropian të arrijë marrëveshje me Greqinë, për paketën e saj të ndihmës.
Merkel dhe presidenti i Francës, Francois Hollande, kanë takuar të enjten kryeministrin e Greqisë, Alexis Tsipras, në margjina të Samitit të Partneritetit Lindor të BE-së në Riga të Letonisë.
Merkel ka thënë sot se bisedimet kanë qenë “miqësore dhe konstruktive”.
Greqia ka kohë deri në qershor për të përmbushur marrëveshjen e reformave me kreditorët ndërkombëtarë, në mënyrë që të sigurojë këstin final prej 7.2 miliardë eurosh nga paketa e ndihmës e Bashkimit Evropian dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar.
Eurozona këmbëngul në reforma të ashpra, përfshirë shkurtimin e pensioneve, në këmbim të ndihmës financiare, por qeveria e re majtiste e Greqisë i kundërshton ato.
Tsipras ka thënë se ai është “i bindur” se marrëveshja do të arrihet shpejt.