Lëvizja Vetëvendosje ka bërë të ditur se Policia e Kosovës ka bastisur zyrat e deputetëve të saj, si dhe të Grupit Parlamentar në Kuvendin e Kosovës.
“Policia e Kosovës, përveç bastisjes, ka filluar të ushtrojë presion ndaj vetë deputetëve, duke ftuar në intervistë deputetët Albin Kurti dhe Albulena Haxhiu në lidhje me aksionet e opozitës në Kuvend”, thuhet në njoftimin e Vetëvendosjes.
Sipas të njëjtit, bastisja është zhvilluar pa praninë e deputetëve dhe pas orarit të punës.
Vetëvendosje e ka cilësuar këtë si “akt të paprecedent të ushtrimit të pushtetit autoritar”.
Të enjten, deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe të partive të tjera opozitare kanë penguar deputetët e tjerë në Kuvend me fishkëllima të bilbilave, me hedhje të ujit dhe të gazit lotsjellës.
Opozita është zotuar se do të pengojë seancat e Kuvendit derisa kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, të mos tërheqë nënshkrimet nga marrëveshja me Serbinë për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe nga marrëveshja me Malin e Zi për demarkacionin e kufirit.