Ndërlidhjet

Kuper nesër në Prishtinë


Ndërmjetësi i Bashkimit Evropian në bisedimet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, Robert Kuper, pritet të qëndrojë nesër në kryeqytetin kosovar.

Lajmin e ka bërë të ditur kryenegociatorja kosovare, Edita Tahiri, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë.

Ajo ka thënë se vazhdimi i dialogut në mes të Prishtinës dhe Beogradit mund të ndodhë vetëm atëherë kur të përafrohen qëndrimet e të dyja palëve rreth çështjes së bashkëpunimit rajonal.

“Nesër e presim vizitën e ndërmjetësit evropian, Kuper, i cili vjen pas vizitës që ka bërë në Beograd dhe pas bisedimeve që kemi pasur të premten me video-lidhje... Prandaj, dita e nesërme mund të jetë një moment i ri për të parë se çfarë janë perspektivat”, ka thënë Tahiri.

Kushtet e këqija atmosferike kanë bërë që Kuper të anulonte vizitën e paraparë për javën e kaluar në Prishtinë.

Bisedimet për çështje teknike mes Kosovës dhe Serbisë, nën ndërmjetësimin evropian, kanë nisur marsin e kaluar. Palët kanë arritur disa marrëveshje, ndërsa kanë hasur në kundërshtime të forta sa i përket përfaqësimit rajonal të Prishtinës.
XS
SM
MD
LG