Ndërlidhjet

Parregullsitë në prokurim publik ndikojnë në shpenzim të buxhetit


Ilustrim
Ilustrim
Nga 1 miliard e 520 milionë euro të buxhetit të vitit 2012, deri në shtator, institucionet e Kosovës kanë shpenzuar 992 milionë euro, që shprehur në përqindje është 63 për qind e planit të përgjithshëm vjetor, bëjnë të ditur zyrtarë të Ministrisë së Financave.

Gjashtëdhjetetre për qind e shpenzimit të buxhetit, sipas përfaqësues të organizatave ekonomike të Kosovës, është nën nivelin e duhur. Sipas tyre, arsyeja e mosshpenzimit të buxhetit ndodh për shkak të mungesës së aftësisë menaxhuese nga ana e agjencive buxhetore.

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, thotë për Radion Evropa e Lirë se arsyeja pse nuk është parë një shpenzim i buxhetit në nivel të duhur deri më tani, janë parregullsitë, të cilat ndodhin në prokurimin publik.

Arian Zeka
Arian Zeka
“Meqenëse kanë mbetur edhe tre muaj deri në fund të vitit, atëherë shuma diku prej 40 për qind e buxhetit të pashpenzuar tregon se patjetër duhet të rritet aftësia menaxhuese e buxhetit nga të gjitha agjencitë buxhetore. Arsyeja pse nuk kemi parë një shpenzim më të duhur të buxhetit, është për shkak të parregullsive që ndodhin në proceset e prokurimit publik”, thotë Zeka.

Ai shton se mosshpenzimi i buxhetit në masë të duhur i vë edhe vetë bizneset që varen nga aktivitete e prokurimit publik, në gjendje të vështirë sa i përket rrjedhës së parasë së gatshme.

Shqetësuese, sipas Zekës, është fakti që Kosovë ndodh që në fund të vitit të rriten aktivitetet e prokurimit publik. Ai thotë se kjo rritje po bëhet në mënyrën më të dëmshme të mundur.



Projektet, të cilat po realizohen, thekson Zeka, po bëhen pa ndonjë kontroll të duhur dhe vetëm sa për ta shpenzuar buxhetin.

“Prej vitit në vit dhe që është një shqetësim mjaft i madh që pikërisht në këta dy-tre muajt e fundit po rriten aktivitetet e prokurimit publik, si dhe rritet edhe shpenzimi i buxhetit. Ky është një shqetësim pasi që paraqitet një çështje tjetër pse të shpenzohen paratë në këtë mënyrë, kur është e mundur të bëhet gjatë tërë vitit në një mënyrë më të mirë, dhe jo shpejt e shpejt”, thekson Zeka.

Në kategorinë e shpenzimeve, ekzekutimi i buxhetit të vitit 2012, siç thekson zëdhënësi i Ministrisë së Financave, Menderes Ibra, ka shkuar sipas planit të paraparë dhe se është një shpenzim i kënaqshëm i buxhetit.

“Sa i përket shpenzimeve ose pagesave në nëntëmujorin e këtij viti, duke mos përfshirë grantet e përcaktuara të donatorëve, si dhe fondet në mirëbesim, pagesa ka qenë 992 milionë euro dhe paraqet 63 për qind të planit të përgjithshëm vjetor”, thekson Ibra, për Radion Evropa e Lirë

Ndërkaq, sa i përket të hyrave, Ibra thotë se në nëntëmujorin e këtij viti, duke mos përfshirë grantet dhe fondet e mirëbesimit të hyrat janë 1 miliard e 127 milionë euro që shprehur në përqindje do të thotë 72 për qind e pranimeve të përgjithshme vjetore të planifikuara me Ligjin e buxhetit të vitit 2012.

Sipas Ibrës, të hyrat paraqesin një rritje prej 21 për qind, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

“Parametrat dhe indikatorët kanë lëvizur në këtë vit dhe ne presim që të jemi brenda planifikimeve të parapara në Ligjin e buxhetit të vitit 2012”, shton Ibra.

Sidoqoftë, deri më tani buxheti i vitit 2012, nuk ka rezultuar në zhvillim ekonomik të Kosovës, zbutje të papunësisë dhe varfërisë, vlerësojnë ekspertët e ekonomisë.
XS
SM
MD
LG