Ndërlidhjet

Mbi 8 për qind fëmijë nuk regjistrohen


Mosregjistrimi civil i fëmijëve, lë atë pa identitet ligjor. Mosregjistrimi mund t’u mohojë fëmijëve një sërë të drejtash themelore institucionale, si qasja në arsim, shëndetësi dhe mbrojtje sociale.

Në Kosovë, 8.2 për qind e fëmijëve nuk janë të regjistruar. Kjo sipas një hulumtimi të bërë nga zyra e UNICEF-it në Kosovë.

Pjesa dërmuese e fëmijëve të cilët nuk regjistrohen janë ata të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptas, duke mos përjashtuar edhe komunitetin shqiptar dhe atë turk.

Dren Rexha, zyrtar për politika sociale në zyrën e UNICEF-it, thotë se regjistrimi i fëmijëve parashihet me konventën ndërkombëtare për të drejtat e fëmijëve, derisa kësaj konvente, sipas tij, i referohet edhe Kushtetuta e Kosovës.

Rëndësia e regjistrimit është shumë e madhe. Nga të dhënat nga tereni, flasin se jo të gjithë fëmijët regjistrohen, posaçërisht fëmijët e komuniteteve RAE. Kryesisht pengesat kanë të bëjnë me procedurat ligjore, vetëdijesimi i prindërve për rolin dhe rëndësinë e regjistrimit. Regjistrimi i fëmijëve do të thotë një pasaportë për mbrojtjen e fëmijës. Në momentin kur fëmija regjistrohet, ai është i njohur para ligjit, dhe mund të ketë qasje në shërbime bazike, si arsim, mbrojtje sociale dhe shëndetësi. Andaj, është parakusht që ky fëmijë t’i gëzojë këto të drejta”, shprehet Rexha.

Në anën tjetër Suzana Novoberdaliu, kryetare e komision të drejtat e njeriut, barazi gjinore, persona të zhdukur dhe peticione, thotë për Radion Evropa e Lirë se regjistrimi civil i fëmijëve në Kosovë, është shumë i rëndësishëm.

Kjo për arsye se i mundëson fëmijës të ketë identitet, certifikatë të lindjes, shtetësi, të nxjerrë pasaportën, të jetë pjesë e procesit dhe evidentimit të popullsisë, më vonë të votojë dhe të gjejë punë, pastaj sigurim social, pensionim etj.

Gjetjet e fundit të raportit të fondit të OKB-së për fëmijë, raport i cili është kryer nga UNICEF, 8.3 për qind e familjeve në Kosovë nuk i kanë regjistruar fëmijët e tyre nën moshën 18 vjeçare. Sipas raportit, ata që nuk janë regjistruar kanë qenë komunitetet RAE, komuniteti shqiptar dhe ai turk. Kjo si rrjedhojë e mungesës së dijenisë për përparësitë e regjistrimit dhe të metat e mosregjistrimit”, thekson Novoberdaliu.

Derisa sipas zyrtarëve të organizatave joqeveritare që merren me të drejtat e fëmijëve, problemet rreth mosregjistrimit të fëmijëve janë të natyrave të ndryshme në Kosovë.

Këtë e ka thënë edhe Ibrahim Krusha nga organizata ‘Iniciativa 6’, organizatë kjo e përfaqësuar nga Komunitetet rom, ashkali dhe egjiptas.

Që nga viti 2007 kemi organizuar fushata ndërgjegjësuese për regjistrimin e fëmijëve, qoftë në librat amë, apo edhe në shkolla. Prizreni po ashtu ka shpallur muajin e regjistrimit të fëmijëve, dhe kjo ka bërë që të ndikojë në regjistrimin e fëmijëve”, thotë Krusha.

Ai përmend edhe problemin e personave të riatdhesuar, të cilët kthehen nga vendet e Bashkësisë Evropiane, pa asnjë dokument, dhe më pastaj ngelin edhe në Kosovë të paregjistruar.

Një problem i theksuar është se fëmijët që kthehen nga Evropa, dhe ata nuk posedojnë asnjë dokument. Ka edhe familje të cilat lëvizin nga fshatrat dhe vijnë në qytetet dhe kanë problem në nxjerrjen e dokumenteve apo regjistrimin. Por ka raste kur as vetë prindërit nuk janë të regjistruar dhe lindin fëmijë, dhe këtu vazhdojnë problemet rreth regjistrimit”, bën të ditur Krusha.
XS
SM
MD
LG