Ndërlidhjet

Ambient jo i shëndetshëm në Kosovë


Prishtinë
Prishtinë
Në Kosovë konsiderohet të jetë ajri i ndotur, degradimi i lumenjve dhe fushave të gjelbëruara, automjetet e vjetra, derisa këto janë vetëm disa nga faktorët që jetën në Kosovë e bëjnë jo të shëndetshme.

Por, mosmenaxhimi i mbeturinave dhe deponitë e egra, mbeten një nga sfidat edhe për institucionet e vendit.

Qytetarët thonë se një pjesë të fajit për hedhjen e mbeturinave vend e pa vend në Kosovë, e ka vetë popullata.

Ndotja e ambientit nga mbeturinat dhe nga tymi i KEK-ut
Ndotja e ambientit nga mbeturinat dhe nga tymi i KEK-ut
Blerim Mulla, 25-vjeçar, ekonomist me profesion, thotë se edhe vetë njerëzit janë ata që e kanë krjiuar një ambient jo të pastër dhe me mbeturina.

“Mendoj se gjendja është e keqe, për shkak se shumica e mbeturinave hidhen jashtë kontejnerëve, derisa qytetarët vetë e kanë fajin për gjendjen e krijuar sa i përket mbeturinave. Mendoj se qytetarët duhet të vetëdijesohen përmes fushatave sa i përket ruajtjes së ambientit”, shprehet Blerim Mulla.

Ndërkaq, Vjosa Kelmendi, studente në Fakultetin Juridik, thotë se përpos disa qytetarëve të papërgjegjshëm, fajin e kanë edhe kompanitë e pastrimit, që nuk janë të rregullt.

“Së pari duhet vetë qytetarët të vetëdijesohen në mënyrë që mbeturinat të mos hidhen vend e pa vend, derisa pak faj e kanë edhe kompanitë e pastrimit, pasi që nuk operojnë në orare të rregullta për t’i mbledhur mbeturinat”, thotë Vjosa Kelmendi.

Çfarë thonë zyrtarët?

Hulumtimi i fundit lidhur me menaxhimin e mbeturinave, i bërë nga Qendra për Zhvillim dhe Avokim në Kosovë,( KADC), tregon se gjendja aktuale në vend nuk është e lakmueshme.

Arben Lila, zyrtar në KADC, thotë për Radion Evropa e Lirë se për shkak të vonesës së miratimit të ligjit, si nga ana e Ministrisë së Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, janë vonuar dokumentet si strategjia për menaxhimin e planit për menaxhimin e mbeturinave në nivelin qendror, i cili rrjedhimisht ka vonuar edhe menaxhimin në nivelin lokal.

“Kosova nuk ka menaxhim të integruar sa i përket mbeturinave. Kemi disa hallka të shkëputura në procesin e menaxhimit. Hulumtimin që e ka bërë Qendra Kosovare për Avokim dhe zhvillim del se për shkak të vonesës së miratimit të ligjit, është vonuar plani për menaxhim të mbeturinave në nivelin lokal. Ato nuk janë të qarta gjatë zbatimit”.

“Në Kosovë kemi pa kompani që i riciklojnë dhe trajtojnë mbeturinat dhe kryesisht bëhet prej mbledhësve në rrugë. Metalet për shembull nuk riciklohen. Pjesa tjetër e madhe gjuhet në deponi dhe është në kundërshtim me direktivat e bashkësisë evropiane”, thotë Lila.

Ai thotë se hulumtimi ka treguar që nuk ekziston ndonjë sistem informacioni për menaxhimin e statistikave sa i përket mbeturinave, në të cilin do të kishte raporte të sakta lidhur me mbeturinat në vendin tonë.

Në anën tjetër, Muhamet Malsiu, drejtor i Departamentit për Mbrojtjen e Mjedisit në Ministrinë e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, thotë se gjendja aktuale në vend sa i përket menaxhimit të mbeturinave, nuk është e mirë.

“Gjendja në Kosovë, sa i përket mbeturinave nuk mund të themi se është e mirë, por besojmë që do të përmirësohet pas kompletimit të legjislacionit të ri”.

“Ne kemi informacione nga kompanitë që merren me menaxhimin e deponive, dhe raporti për mbeturinat del se rreth 90 për qind e mbeturinave në qendrat urbane mblidhet, ndërsa nëpër vendet rurale mblidhet 10 deri 20 për qind”.

“Ministria jonë ka përgatitur legjislacionin dhe bën inspektimin e rregullt se sa grumbullohen mbeturinat derisa problemi qëndron tek infrastruktura, sepse është shumë e shtrenjtë dhe nevojitet kohë derisa të implementohet",
thotë Malsiu.

Sidoqoftë, llogaritet se në vend, gjatë ditës grumbullohen mbeturina 0.2 kg për kokë banori.
XS
SM
MD
LG