Ndërlidhjet

Maqedoni: Politizimi i shoqërisë civile


Pamje nga Shkupi
Pamje nga Shkupi
Në Maqedoni thuajse nuk ka shoqëri të vërtetë civile për shkak të etiketimeve dhe presioneve të shumta që bëhen ndaj tyre në veçanti nga partitë politike.

Kështu vlerësojnë drejtuesit e disa organizatave joqeveritare në vend duke i bërë thirrje partive që të heqin dorë nga shantazhet dhe diskualifikimet e ndryshme që bëjnë ndaj sektorit civil.

Sektori civil në Maqedoni është shumë i partizuar. Të rralla janë organizatat joqeveritare që nuk mbajnë anën e partive politike qofshin ato në pushtet apo opozitë. Në Maqedoni kohëve të fundit janë formuar shumë organizata joqeveritare me qëllime të caktuara politike. Kjo është shumë e dëmshme për shoqërinë në përgjithësi, pasi sektori civil duhet të ketë rol krejt tjetër, duhet të korrigjoj punën e pushtetit dhe të ngritë zërin kundër të gjitha devijimeve që mund të bëhen nga politika dhe faktorët tjerë relevant në shtet”, thotë Vllado Dimovski, nga Qendra për Tolerancë Ndërentike.

Ngjashëm vlerëson edhe Lulzim Haziri, përfaqësues i organizatës joqeveritare, Iniciativa Demokratike, me seli në Gostivar ndërsa veçon pozitën e sektorit civil shqiptar, që, sipas tij, është dëmtuar rëndë nga disa iniciativa qytetare, të cilat, siç shprehet ai, gjithë aktivitetin e tyre kanë zhvilluar për tu kyçur në politikë.

E keqja është se edhe pas legjitimitetit të tyre si përfaqësues politik vazhdojmë me aktivitet e tyre me tendencë për t'u paraqitur si shoqëri të pavarura”, shprehet Haziri.

Ai thotë se sektori civil mund të japë kontribut të jashtëzakonshëm jo vetëm në zhvillimin e shoqërisë, por, edhe në uljen e tensioneve të ndryshme që paraqiten, por nismat e këtilla gjithmonë kundërshtohen në forma të ndryshme nga partitë politike.

Shoqëria civile për dallim nga politika shumë pak ndikon për të keq, aq më tepër kur shoqëria civile njihet si kultivuese e multikulturalitein, multietnicitetin, mirëpo çdo tentim i tyre për të ndryshuar situatën në të mirë ndodhë që të vijnë zgjedhjet dhe gjithë ai mund të shkojë kot nga deklarimet demagogjike të politikanëve të cilët bëjnë të kundërtën e asaj që punon shoqëria civile", thekson Lulzim Haziri, përfaqësues i Iniciativës Demokratike.

Nga ana tjetër, Vllado Dimovski thotë se qytetarët po humbin gjithnjë e më shumë besimin tek organizatat joqeveritare dhe fajtorë kryesor janë partitë politik

Qytetarët vlerësojnë se organizatat joqeveritare janë formuar për larjen e parave, se janë spiunë, e çka jo tjetër dhe gjithë këtë atyre kanë arritur t'ia imponojnë partitë politike për të rrënuar imazhin e shoqërisë së vërtetë civile që është e korrigjuese e vërtetë e politikave të gabuara qeveritare”, thekson Dimovski.

Për pozitën e pavolitshme te sektorit civil flet edhe analisti Xhelal Neziri. Ai thotë se pas shumë organizatave joqeveritare qëndron pushteti, të cilat, i ka themeluar për të kundërshtuar çdo nismë që vjen shoqëria e vërtetë civile.

Kemi raste të shohim se si reagohet ndaj një organizatë të mirëfilltë e cila reagon për padrejtësitë që iu bëhen qytetarëve. Ndaj saj pushteti reagon me një “organizatë joqeveritare”, e cila është e formuar nga njerëz të cilët kanë libreza partiake. Pra, kemi të bëjmë me një lloj polarizimi dhe partizimi të shoqërisë civile në Maqedoni duke mos mbajtur llogari për synimet e përcaktuar në vizionet e tyre si organizata joqeveritare”, thekson Neziri.

Sipas të dhënave zyrtare të një viti më parë në Maqedoni veprojnë gjithsej 4 mijë e 260 organizata të ndryshme joqeveritare, shumë prej tyre kanë nga një anëtarë ndërsa shumë të tjera nuk kanë pasur as edhe një aktivitet për të sqaruar të paktën qëllimin e formimit të tyre.

Ndërkohë, Vllado Dimovski nga qendra për tolerancë ndëretnike thotë se numri i organizatave të vërteta qytetare sillet në Maqedoni sillet në rreth 350.
XS
SM
MD
LG