Ndërlidhjet

Akuzat ndikuese vs. hetimet e ngadalshme


EULEX
EULEX
Hetimet e task forcës speciale të EULEX-it rreth akuzave për trafikim me organe njerëzore gjatë luftës së 1999-ës në Kosovë duket se nuk po arrijnë ta zbehin ndikimin që kanë pasur në imazhin e vendit këto akuza.

Puna e ekipit hetues për akuzat e përfaqësuesit të Këshillit të Evropës, Dik Marti, po kritikohet për mungesë transparence dhe dinamikë të ngadalshme të hetimeve.

Akuzat u riaktualizuan në javën e kaluar gjatë vizitës së ish-kreut të administratës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Bernard Kouchner.

Por, zëdhënësi i task-forcës për hetime speciale i EULEX-it, Juri Laas, i tha Radios Evropa e Lirë se natyra e hetimeve kërkon të mos jepen hollësi në publik dhe se akuzat që kanë të bëjnë me ngjarjet të cilat mund të kenë ndodhur para 12-13 vjetësh duhet të hetohen në tërësi.

Është gjithashtu e qartë se ky do të jetë një hetim kompleks dhe i vështirë, meqë ajo që po bëjmë është po analizojmë gjërat që kanë ndodhur 12 apo 13 vite më parë në zona dhe shtete të ndryshme”, u shpreh ai.

Udhëheqësi i task-forcës së EULEX-it, Clint Williamson, qëndroi para një muaji në Beograd ku zhvilloi takime me udhëheqësit shtetëror të vendit.


Hetimet vazhdojnë – pa detaje


Mbetet, ndërkaq, e paqartë agjenda e ardhshme e takimeve që prokurori amerikan do të zhvillojë në Kosovë e Shqipëri-vende këto që përmenden në raportin e Martit.

Laas tha se nuk duhet t’i kushtohet rëndësi punës individuale të hetuesve të ekipit- anëtarët e të cilit thuhet se po vazhdojnë “aktivitetet operacionale në Ballkanin Perëndimor dhe përtej”.

Task-forca speciale po vazhdon të sigurojë informata nga një numër burimesh institucionale, po analizon këto informata dhe po vazhdon aktivitetet hetuese. Ne gjithashtu po vazhdojmë të flasim me njerëz që kanë informata relevante për hetimin”, tha ai.

Në organizatat për të drejtat e njeriut në Prishtinë, në ndërkohë, theksohet rëndësia për një hetim të hollësishëm.

Ekipi hetues i përbërë nga 20 pjesëtarë prej më shumë se 10 vendeve (prokurorë ndërkombëtarë dhe stafi mbështetës) thuhet se duhet të zhvillojë hetimet në të gjitha nivelet për të hedhur dritë mbi akuzat që përfshijnë luftëtarët të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e që apostrofojnë edhe emrin e kryeministrit aktual të vendit, Hashim Thaçi.


Kritikohet ritmi i hetimeve


Drejtori ekzekutiv i Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë, Bekim Blakaj, shfaqi shpresën që me përmbylljen e hetimeve të zbardhen akuzat që, sipas tij kanë dëmtuar imazhin politik të Kosovës.

Megjithatë, ai i cilësoi të pamjaftueshme takimet që prokurori Williamson ka zhvilluar me liderët e vendeve të përmendura në raportin e Martit.

Besoj që takimi me liderë është vetëm një komponente e këtyre hetimeve. Përndryshe nuk do të kenë kurrfarë efekti nëse hetimet mbesin në këtë nivel. Pa marrë parasysh se çka do të nxjerrin në fund, besoj se janë të mirëseardhura për shoqërinë në Kosovë por edhe për elitën politike”, theksoi ai.

Në akuzat për trafikim me organe njerëzore gjatë luftës në Kosovë është përmendur vazhdimit “Shtëpia e Verdhë”-një shtëpi në Burel të Shqipërisë ku thuhet se janë bërë transplantime të ndryshme.

Por, deri më tani nuk kanë mundur të verifikohet se a janë kryer transplantime të tilla në atë lokacion apo jo.
XS
SM
MD
LG