Ndërlidhjet

Situatë e tensionuar në Rripin e Gazës


Tensione në Rripin e Gazës
Ju lutem prisni
Embed

No media source currently available

0:00 0:01:55 0:00

Tensione në Rripin e Gazës

Kreu i Hamasit, Khaled Meshaal, ka shkuar në Egjipt, për të biseduar rreth konfliktit ndërmjet Izraelit dhe Rripit të Gazës. Dhuna në mes të dy rajoneve është intensifikuar shumë në ditët e fundit.

Meshaal pritet të bisedojë me shefin e inteligjencës egjiptiane, si dhe me kryeministrin turk, Recep Tayyip Erdogan.

Ky i fundit ka thënë se Izraeli duhet të përgjigjet për “masakrën” në Gaza, ku “dhjetëra palestinezë kanë humbur jetën nga sulmet e tij, në katër ditët e fundit”.

Në Gaza ka qëndruar sot ministri i Jashtëm i Tunizisë, Rafik Abdesslem, i cili po ashtu ka dënuar sulmet e Izraelit, duke i quajtur “të papranueshme dhe në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar”.

“Ekziston një ligj ndërkombëtar dhe disa kufizime ndërkombëtare. Ajo çfarë po bën Izraeli, është e papranueshme dhe e jashtëligjshme. Izraeli duhet të kuptojë se shumë gjëra kanë ndryshuar, se shumë ujë ka rrjedhur nëpër lumenj dhe se nuk është mbi ligjin ndërkombëtar”, ka thënë Abdesslem.

Ai është zyrtari i dytë arab që viziton Gazën brenda dy ditësh. Të premten, në këtë rajon ka qëndruar kryeministri i Egjiptit, Hisham Qandil.

Në Uashington, Shtëpia e Bardhë ka bërë thirrje për qetësim të situatës, por ka mbrojtur të drejtën e Izraelit për t’u vetëmbrojtur.

Zyrtarët palestinezë në Uashington kanë kritikuar përgjigjen e Shteteve të Bashkuara, duke thënë se Izraeli ka shkaktuar përshkallëzimin e konfliktit.

Ministri iranian i Mbrojtjes, Ahmad Vahidi, ka thënë se bota myslimane duhet të bashkohet kundër Izraelit.

“Fundi i krimeve të regjimit të Izraelit është i mundur vetëm duke qenë të bashkuar”, citon agjencia IRNA deklaratën e Vahidit.

Izraeli ka nisur fushatë ajrore kundër Rripit të Gazës qysh të mërkurën, kur një raketë e tij ka vrarë shefin e krahut ushtarak të Hamasit, Ahmed al-Jaabari. Ai ka mobilizuar edhe 75,000 forca rezervë, të cilat mund të nisin operacione tokësore në Gaza.

Militantët palestinezë, në anën tjetër, janë përgjigjur me qindra raketa, të cilat kanë prekur edhe Tel Avivin dhe Jerusalemin.

Zyrtarët në Gaza thonë se 38 palestinezë janë vrarë prejse Izraeli ka nisur sulmet ajrore. Po ashtu flitet për tre izraelitë të vrarë të enjten.

Aeroplanët luftarakë të Izraelit kanë bombarduar të premten vonë edhe zyrën e liderit të Hamasit, Ismail Haniyeh. Hamasi është një lëvizje islamike, e cila kontrollon Rripin e Gazës qysh në vitin 2007.(v.t.)
XS
SM
MD
LG