Ndërlidhjet

Një kupolë qepe afër Kullës Eifel?


Projekti i Qendrës Kulturore dhe Shpirtërore Ortodokse Ruse në Paris.
Projekti i Qendrës Kulturore dhe Shpirtërore Ortodokse Ruse në Paris.
Katedralet ortodokse me kupolat e tyre të arta në shenjë qepe, paraqesin pamje të njohur në tërë Rusinë. Dhe, një nga to mund të bëhet së shpejti pjesë e horizontit të famshëm në Paris, mu pranë Kullës Eifel.

Presidenti francez, Francois Hollande, ka vetëm disa javë për të vendosur mbi një plan të diskutueshëm për të ndërtuar një Qendër masive Kulturore dhe Shpirtërore Ortodokse Ruse në qendër të Parisit, në brigjet e lumit Seine, një vend ky i mbrojtur si trashëgimi botërore nga UNESCO-ja.

Projekti është kundërshtuar me forcë nga kryetari i Bashkisë së Parisit, Bertrand Delanoe, i cili e ka përshkruar atë si “përzierje” arkitekturore dhe plan “mediokër”.

Por, Moska thuhet se po i bën presion diplomatik presidentit Hollande që të miratojë projektin dhe të lejojë ndërtimin.

Pamje e projektit...
Pamje e projektit...
Në vitin 2011, një stacion televiziv për patundshmëri, La Chaine Immo shpalli planet për katedralen me një entuziazëm.

“Manuel Nunez Yanowsky (arkitekti), i ka imagjinuar dy ndërtesa të dominuara nga pesë kupola, secila nga to e lartë 27 metra. Një mbulesë e madhe xhami do të shërbejë si kulm dhe 3 mijë e 400 metra të kopshtit do të hapen për publikun. Kjo martesë e lumtur në mes të traditës dhe modernizmit duhet të tërheqë sa besimtarë aq edhe vizitorë kureshtarë”.

Por, kundërshtimi ndaj planit shumë shpejt mori hov në kryeqytetin francez, ku ruajtja e integritetit të arkitekturës së famshme të qytetit merret seriozisht.

Në shkurt të këtij viti, Delanoe i bëri thirrje UNESCO-s që të parandalojë autorizimin e projektit.

Në përgjigje, Viktor Khrekov, një zëdhënës i Zyrës së Pronësisë së Kremlinit, tha se Delanoe po e shprehte vetëm “mendimin e tij personal”, i cili “nuk ka rëndësi ligjore.”

Derisa afati i fundit që Hollande ta marrë vendimin, më 29 nëntor, afrohet, presidenti e ka gjetur veten në mes të një dileme.

Siç raportoi javorja franceze “Journal du Dimanche”, më 11 nëntor, ai mund të sfidojë Delanoen, një aleat të ngushtë politik, ose të rrezikojë tendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Moskën.

Revista shtoi se Aleksandr Orlov, ambasador rus në Francë, iu ka bërë thirrje pandërprerë zyrtarëve, për t’iu bërë presion për miratimin e projektit.

Kur jemi te presioni, katedralja pritet të jetë në rend të ditës, në vizitën e kryeministrit rus, Dimitri Medvedev, në Paris, në takimin me presidentin Hollande më 27 nëntor, vetëm dy ditë para afatit.

Të hënën (12 nëntor), Delanoe përsëriti kundërshtimin e tij “estetik” ndaj këtij projekti, duke iu thënë gazetarëve se ai do të krijonte një “imazh të keq” të Rusisë dhe autoriteteve fetare ortodokse.

Në atë që duket se është përpjekje për të gjetur kompromis, Ministria Franceze e Kulturës tha se po zhvillon bisedime me qeverinë ruse dhe zyrtarë të Kishës Ortodokse për të identifikuar “përshtatjet dhe përmirësimet e projektit, për të lejuar ndërtimin e saj.”

Pamje nga afër e projektit...
Pamje nga afër e projektit...
Në një intervistë për Radio Evropën e Lirë, Mikhail Krymov, i cili punon në kompaninë arkiktektonike me seli në Moskë “Arch Group”, që mori pjesë në projektin origjinal, tha se kompanisë së tij i është kërkuar që të nënshkruajë një kontratë për t’u pajtuar me lënien e projektit”.

“Nuk e di se çka po ndodh. Dyshoj se projekti ka ndryshuar shumë. Sa ka ndryshuar, nuk e di. Nuk e di se sa korrespondon projekti i tashëm me atë fillestar. Mbase të dy janë tërësisht të njëjtë, ose të dy kanë ndryshuar tërësisht”, tha Krymov.

Në vitin 2010, Rusia raportohet se ka shpenzuar 70 milionë euro në tokën prej 4 mijë e 500 metrash ku thuhet se do të ndërtohet katedralja.

Një kërkesë zyrtare për rindërtim është dorëzuar në muajin janar të vitit 2012, me një kosto të përgjithshme prej më shumë se 30 milionë eurosh.

Sipas raporteve të mediave franceze, ideja për projektin, që synon promovimin e “civilizimit rus”, ka ardhur direkt nga presidenti Vlladimir Putin.

Në një intervistë të vitit 2010, ambasadori Orlov e përshkroi atë si “unike për nga vendndodhja dhe natyra e saj.”

Ai vuri në dukje se dhjetëra mijëra rusë jetojnë në apo afër Parisit dhe se duhej një “vend i fortë dhe simbolik” për ta.

Katedralja Aleksandër Nevski e Parisit, aktualisht është edhe selia e kryepeshkopit të Kishave Ortodokse Ruse në Evropën Perëndimore. Së paku dy kisha të tjera ortodokse ruse janë të vendosura në kryeqytetin francez.(a.i.)
XS
SM
MD
LG