Ndërlidhjet

Morsi: Punoj për stabilitetin e Egjiptit


Presidenti Muhammad Morsi
Presidenti Muhammad Morsi
Presidenti i Egjiptit, Muhammad Morsi, u ka thënë mbështetësve të tij se vendi është në rrugë drejt “lirisë dhe demokracisë”.

Ai i ka bërë këto komente një ditë pasi me një dekret të ri kushtetues, i ka shtuar vetes kompetencat.

Morsi, duke iu adresuar mijëra mbështetësve jashtë Pallatit Presidencial, në Kajro, ka thënë se është duke punuar për “stabilitetin politik, social dhe ekonomik”.

Ai, po ashtu, ka thënë se nuk është kundër një “opozite të vërtetë dhe të fortë” të Egjiptit.

Morsi, një islamist, që ka dalë nga Vëllazëria Myslimane, ka theksuar se “nuk është i njëanshëm” ndaj asnjë egjiptiani.

Dekreti i Morsit, sipas të cilit “vendimet dhe ligjet e nxjerra nga presidenti, janë përfundimtare dhe nuk mund t’iu nënshtrohen ankesave”, është cilësuar si autokratik.

Aktivistët pro-reformave e kanë akuzuar presidentin se ka sulmuar idealet e revoltës së vitit të kaluar, e cila rrëzoi regjimin shumëvjeçar të Hosni Mubarakut.

Mbështetësit e presidentit dhe kundërshtarët u tubuan të premten në protesta në mbarë vendin.

Mijëra protestues janë tubuar në Sheshin Tahrir të Kajros për ta kundërshtuar dekretin e Morsit, duke e akuzuar atë se po e lanson një grusht-shtet.

Policia ka përdorur gazin lotsjellës kundër një grupi të vogël protestuesish që u përleshën me policinë në periferi të sheshit.

Në qytetin mesdhetar të Aleksandrisë, protestuesit kanë sulmuar zyrën e Partisë për Liri dhe Drejtësi, krah politik i Vëllazërisë Myslimane.

Të paktën 12 persona raportohet se janë lënduar në përleshjet ndërmjet mbështetësve dhe kundërshtarëve të Morsit.

Protestat në Sheshin Tahrir, Kajro
Protestat në Sheshin Tahrir, Kajro
Më herët, televizioni shtetëror ka raportuar se protestuesit, në qytetet Port Said dhe Ismailiya, u kanë vënë zjarrin zyrave të Vëllazërisë Myslimane – lëvizjes së cilës i përket edhe vetë Morsi.

Dekreti i Morsit pritet të mbetet në fuqi të paktën deri në miratimin e Kushtetutës së re dhe derisa të zgjidhet parlamenti i ri.

Në të thuhet se asnjë gjykatë nuk mund të shpërbëjë parlamentin e dominuar nga islamikët, që aktualisht po e harton kushtetutën e re.

Lideri opozitar dhe ish-kreu i agjencisë së OKB-së për Energji Bërthamore, Muhammad ElBaradei, ka thënë se Morsi e ka emëruar veten “faraon të ri” të Egjiptit.

Sipas ElBaradeit, Morsi ka “uzurpuar të gjitha kompetencat shtetërore”.

Dekreti i Morsit është lëshuar pak ditë pasi u lavdërua për ndihmën që dha në arritjen e armëpushimit ndërmjet forcave izraelite dhe militantëve të Hamasit në Rripin e Gazës.(a.i.)
XS
SM
MD
LG