Ndërlidhjet

Ban Ki-moon: Siguria në Kosovë – kryesisht e qetë


Ban Ki-moon
Ban Ki-moon
Në raportin e tij për zhvillimet në Kosovë, në periudhën 16 korrik – 15 tetor të vitit 2012, sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon, vlerëson se situata e sigurisë në Kosovë ishte kryesisht e qetë.

Sipas tij, “policia e Kosovës ka ndërmarrë disa operacione të suksesshme kundër krimit të organizuar, përfshirë trafikimin e njerëzve, kontrabandimin e imigrantëve, posedimin ilegal të armëve të zjarrit, trafikimin e narkotikëve dhe vjedhjes”.

Më tutje në raportin e Ban Ki-moonit, i publikuar në faqen në Internet të Kombeve të Bashkuara, me datë 8 nëntor 2012, theksohet se “në pjesën veriore të Kosovës, incidentet e sigurisë dhe tensionet e rastësishme mbeten”.

Pastaj përshkruhen disa “incidente serioze” që kanë ndodhur në veri, përfshirë “pesë eksplodime të granatave të dorës, dy prej të cilave i dëmtuan makinat e serbëve të Kosovës që janë pjesëtarë të policisë së Kosovës, pastaj sulmi fizik kundër dy meshkujve shqiptarë të Kosovës, njëri prej të cilëve pësoi lëndime serioze”.

Raporti vazhdon me përshkrimin e “qitjes nga një serb i Kosovës kundër tre shqiptarëve të Kosovës, me ç’rast nuk është raportuar për viktima, dhe therja e një serbi të Kosovës nga një grup i shqiptarëve të Kosovës, që rezultoi me plagosjen e serbit”.

Në raportin e gjatë të sekretarit Ban Ki-moon, në kuadër të observimeve të tij, thotë se ka pasur disa “zhvillime pozitive në përpjekje për implementimin e marrëveshjeve të arritura në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian”.

Ai i ka “mirëpritur sigurimet nga Beogradi dhe Prishtina lidhur me gatishmërinë dhe përkushtimin e tyre për rifillimin e angazhimit substancial brenda dialogut, për t’i zgjidhur çështjet kontestuese me mjete paqësore dhe për ta mbajtur perspektivën e tyre të përbashkët evropiane”.

Për këtë raport të sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon, për Kosovën, do të diskutohet në mbledhjen e ardhshme të Këshillit të Sigurimit, që mbahet të martën më 27 nëntor.
XS
SM
MD
LG