Ndërlidhjet

OKB hap takimin për ndryshimet klimatike


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Bisedimet vjetore të Kombeve të Bashkuara për ndryshimet klimatike janë hapur në Doha të Katarit.

Delegatë nga afro 200 vende janë mbledhur në përpjekje për të zgjatur një pakt ekzistues për zvogëlimin e emetimeve që shkaktojnë ngrohjen globale dhe për të nisur hartimin e një të riu.

Konferenca e këtij viti zhvillohet me një ndjenjë të veçantë të urgjencës, pasi Protokolli i Kiotos, traktati i vetëm ndërkombëtar dhe detyrues për gazrat që kontribuojnë në ngrohjen globale, skadon në fund të vitit.

Presidentja në largim e Konferencës së Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike, Maite Mkoana-Mashabane, ka hapur takimin me paralajmërim:

Është i nevojshëm një veprim urgjent nëse duam të shmangim katastrofën globale në brezin e ardhshëm”, ka thënë Mashabane, njëherësh ministre e Jashtme e Afrikës së Jugut.

Marrëveshja e Kiotos, e nënshkruar në vitin 1997, i detyron vendet e industrializuara të reduktojnë emetimin e dyoksid-karbonit dhe të gazrave të tjerë në atmosferë, që shkaktojnë rritjen e temperaturave në sipërfaqen e Tokës.

Shtetet e Bashkuara nuk e kanë ratifikuar kurrë traktatin nga frika e ndikimeve negative ekonomike dhe nga mangësitë që ka ai për angazhimin e Kinës. Kjo do të thotë se dy emetuesit më të mëdhenj në botë nuk detyrohen me protokoll.

Kanadaja, Japonia dhe Rusia kanë braktisur po ashtu marrëveshjen.

Pavarësisht dobësive të tij, delegatët në Doha synojnë të zgjerojnë protokollin gjatë disa viteve të ardhshme.

Në bisedimet e vitit të kaluar në Durban të Afrikës së Jugut, vendet kanë rënë dakord për një zëvendësim të Kiotos deri në vitin 2015 dhe për fuqizim të tij më 2020.

Edward Cameron, drejtor i Iniciativës Ndërkombëtare Klimatike në Uashington, thotë se konferenca e këtij viti do të vërë kornizat e negociatave mbi traktatin e ri.

Ne nuk jemi aty ku duhet të jemi dhe, në këtë kontekst, Kioto duhet të shihet si hapi i parë jetik. Sfidë tani është se si ta vazhdojmë atë? Si të sjellim më shumë vende në sistem, në mënyrë që ato të reduktojnë me sukses emetimet? Si të sigurohemi se ka një ekuilibër në mes të asaj që po bën Evropa dhe vendet e tjera të industrializuara dhe asaj që mund të bëjnë Shtetet e Bashkuara dhe disa nga ekonomitë në zhvillim”, pyet Cameron.

Nevoja për të ndërmarrë masa kundër ndryshimeve klimatike është theksuar në disa raporte, të lëshuara në prag të bisedimeve.

Organizata Meteorologjike e Kombeve të Bashkuara, më 20 nëntor, ka tërhequr vërejtjen se gazrat serrë në atmosferë kanë arritur rekord të lartë më 2011 dhe ka shfaqur shqetësimet në lidhje me kapacitetin e hapësirës që të vazhdojë të absorbojë sasi të mëdha të dyoksid-karbonit.

Christian Blondin, nga Organizata Meteorologjike, ka thënë se klima po ngrohet në shkallë alarmante.

Ajo që mund të konstatojmë nga ajo që kemi vërejtur është se ne po përballemi me skenarë, që janë shumë pak optimistë. Ata janë skenarë që përkojnë me emetime më të larta seç kemi parashikuar, për shkak të demografisë në rritje dhe kështu me radhë. Gjasat që të qëndrojmë nën 2 gradë Celsius ngrohje janë gjithnjë e më sfiduese”, ka thënë Blondin.

Raporti i Bankës Botërore, i publikuar më 18 nëntor, ka konstatuar se politikat aktuale klimatike mund të çojnë rritje të temperaturës mesatare globale deri në 4 gradë Celsius, në vitin 2100.(v.t.)
XS
SM
MD
LG