Ndërlidhjet

Thaçi: Arrestimi i Limajt nga EULEX-i, i motivuar politikisht


Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, e ka cilësuar të padrejtë arrestimin e njërit nga ish-komandantët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Fatmir Limaj, deputet dhe nënkryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, nën akuzat për krime lufte.

Në ceremoninë e parakalimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, zoti Thaçi, ka thënë se askush nuk ka të drejtë t’i arrestojë luftëtarët e lirisë së Kosovës dhe as EULEX-i, siç tha ai, “prapa shpinës së institucioneve të Republikës së Kosovës”.

Askush nuk ka të drejtë të njollos luftën e UÇK-së, e as EULEX-it tinëz dhe prapa shpinës së institucioneve të arrestojë luftëtarët tanë, si deputetin Fatmir Limaj. Kjo është fyerja më e rënd në këto ditë feste”, ka thënë Thaçi.

Një veprim të tillë, ai e ka cilësuar "të papranueshëm dhe fyerje për drejtësinë".

Gjykata Supreme e Kosovës i ka caktuar deputetit dhe nënkryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Fatmir Limaj masën e paraburgimit prej 30 ditësh.

Masa e paraburgimit për deputetin Limaj dhe tre të tjerë të akuzuar, Naser Krasniqi, Nexhmi Krasniqi dhe Naser Shala ka të bëjë me rastin e njohur si “Kleçka”,që ndërlidhet me akuzat për krime lufte.

Për këtë rast, Limaj dhe të tjerët ishin shpallur të pafajshëm gjatë një procesi paraprak gjyqësor, por ishte EULEX-i më pas që kërkoi rikthimin e gjykimit në Gjykatën Supreme.

Zhbogar: "Vendimi nuk është politik"

Në anën tjetër, përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zhbogar, ka thënë se e kupton ndjeshmërinë dhe emocionet lidhur me rastin e fundit të EULEX-it, por ka kërkuar nga politikanët dhe institucionet politike, që, për çështje parimore, t’iu shmangen komentimeve për rastet që vazhdojnë.

Samuel Zhbogar
Samuel Zhbogar
Parim themelor i çdo shoqërie moderne, demokratike është mosndërhyrja në proces gjyqësor. Gjykatësit veprojnë në mënyrë të pavarur, prokurorët veprojnë në mënyrë autonome dhe të akuzuarit janë të pafajshëm derisa të dëshmohet fajësia e tyre".

"Vendimet e prokurorëve dhe gjykatësve të EULEX-it kurrë nuk kanë qenë, nuk janë dhe nuk do të jenë të motivuara politikisht”, thuhet në deklaratën e zotit Zhbogar.

Edhe zyrtarët e EULEX-it, i kanë hedhur poshtë deklaratat se ky rast, por edhe rastet tjera, të kenë pasur ndikim politik.

Bardha Azari nga zyra për informim e këtij misioni tha se “ky rast nuk ka asnjë lloj motivacioni politik, dhe se vendimet janë vetëm të gjykatës”.

Gjykatësit dhe prokurorët tanë janë komplet autonom dhe të pavarur dhe ata i zhvillojnë ndjekjet penale dhe gjykimet e veta në bazë të ligjit. Ata operojnë sipas parimit të pavarësisë se gjyqësorit dhe gjyqësori nuk influencohet prej asnjë nga aktorët vendorë apo ndërkombëtarë apo institucionet e tjera, siç e kërkon dhe ndarja e pushteteve”, tha Azari.

Mbrojtja dorëzon ankesën

Nga ana tjetër, avokatët mbrojtës kanë dorëzuar sot ankesën kundër vendimit të gjykatës, duke thënë se mbi këtë vendim rëndon një pikëpyetje e madhe ligjore.

Avokati, Mahmut Halimi, i cili mbron të akuzuarin Nexhmi Krasniqi, tha se ankesa i është dorëzuar Gjykatës Supreme dhe pret që kolegji i gjykatës të vendosë në lidhje me të.

Ajo që është shumë shqetësuese, është se ky rast është marrë me një shpejtësi marramendëse ne veprim. Është komunikuar vendimi dhe është lëshuar urdhëresa për arrest. Gjyqtari nuk e ka vendimin e Gjykatës Supreme, nuk e ka formën e shkruar, nuk e ka asnjë fletë të shkresave të lëndës".

"Kjo të shtyn në dyshimin se kjo sjellje e organeve gjyqësore të EULEX-it dhe prokurorisë janë të ndikuara jashtëzakonisht rëndë dhe në mënyrën më të pajustifikuar politikisht
”, ka thënë Halimi për Radion Evropa e Lirë,

Kurse, avokati i deputetit Fatmir Limaj, Tahir Rrecaj, tha për Radion Evropa e Lirë se pas dorëzimit të ankesës, në gjykatë, pret që ankesa e mbrojtjes të aprovohet dhe të ndryshohet aktgjykimi gjykatë së shkallës së parë.

Pres që ankesa të aprovohet dhe zoti limaj të lëshohet dhe të mbrohet në liri, sepse nuk ekziston absolutisht anjë nga arsyet ligjore per caktimin e mars së paraburgimit. Kjo është një dicka absurde është dika skandaloze është dëshpëruese, dhe është hera e parë që jam dëshpëruar në profesioni tim si avokat me një vendim të tillë".

"Do të ishte kënaqësi për gjithë qytetarët e Kosovës sikur ne t’i kishim gjykatat efikase sic ka kanë vepruar në këtë rast konkret. Kjo i ngrit dyshimet e mia se ka ndikime interferenca politike nga jashtë”, tha Rrecaj.

Në aktakuzën e ngritur supozohet se “krimet e luftës janë kryer nga fillimi i vitit 1999 deri në mesin e qershorit 1999, kundër civilëve serbë dhe shqiptarë, në një qendër të improvizuar paraburgimi nga UÇK-ja, e cila ndodhej në fshatin Kleçkë”.
XS
SM
MD
LG