Ndërlidhjet

Ushtria e Egjiptit urdhëron demonstruesit të largohen nga presidenca


Egjipt: Trazira vdekjeprurëse para pallatit presidencial
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:22 0:00

Egjipt: Trazirat para pallatit presidencial

Ushtria e Egjiptit ka urdhëruar demonstruesit që të largohen nga zona përreth pallatit presidencial në Kajro.

Kjo hapësirë ka qenë skenë e përleshjeve të dhunshme ndërmjet mbështetësve dhe kundërshtarëve të presidentit Muhammad Morsi.

Luftimet e së mërkurës mbrëma kanë lënë të paktën pesë njerëz të vrarë dhe disa qindra të plagosur. Ushtria e Egjiptit ka vendosur tanket dhe autoblindat jashtë presidencës.

Kundërshtarët e Morsit protestojnë kundër një dekreti të ri kushtetues, që ka nxjerrë presidenti muajin e kaluar, duke i dhënë vetes kompetenca gati të pakufizuara. Ata po ashtu janë të pakënaqur me draftin e ri të kushtetutës, për të cilin thonë se minon disa të drejta themelore.

Me urdhrin e ushtrisë, demonstruesit kanë nisur të largohen në mënyrë paqësore.

Situata paraqet krizën më të rëndë politike në Egjipt që prej protestave të vitit të kaluar, që kanë çuar në përmbysjen e sunduesit veteran, Hosni Mubarak.

Njëri nga liderët e opozitës, Muhammad ElBaradei, ka thënë se sundimi i Morsit nuk dallon nga ai i Mubarakut.

Muhammad el-Baradei
Muhammad el-Baradei
“Ne mbajmë presidentin Morsi dhe qeverinë e tij plotësisht përgjegjëse për dhunën, e cila po ndodh sot në Egjipt. Ajo çfarë po ndodh para pallatit presidencial, dhuna, pa mbrojtje nga shteti, është një njoftim nga lidershipi dhe presidenti se ata nuk e praktikojnë përgjegjësinë e tyre për mbrojtjen e vendit”, ka thënë ElBaradei.

Agjencitë shtetërore të lajmeve kanë thënë se tanket janë vendosur jashtë pallatit presidencial “për të siguruar ndërtesën”, pas luftimeve që kanë vazhduar edhe mëngjesin e sotëm.

Raporte për përleshje të dhunshme ka pasur edhe në qytete të tjera të Egjiptit.

Dhuna ka vënë përballë mbështetësit e Morsit nga Vëllazëria Myslimane dhe grupet islamike me grupet liberale, të krishtera dhe të tjera.

Opozita do që presidenti të shfuqizojë dekretin e 22 nëntorit dhe të tërheqë projekt-kushtetutën, e cila thuhet se është nxjerrë nga një asamble e dominuar me aleatë islamikë të presidentit.

Ish-kreu i Ligës Arabe, Amr Moussa, tani udhëheqës i opozitës, i ka bërë thirrje popullit egjiptian që të bashkohet në mbështetje të demokracisë.

Amr Moussa
Amr Moussa
“Sot, nesër dhe gjithë kohën, zëri jonë duhet të ngrihet lart. Të tregojmë se jemi për një komb demokratik dhe jo për status-quo, apo ndarje të popullit egjiptian, apo imponim të një kushtetute të papranueshme”, ka thënë Moussa.

Me gjithë trazirat, nënpresidenti i Egjiptit, Mahmud Mekky, ka thënë se referendumi për kushtetutën do të mbahet më 15 dhjetor, ashtu siç është planifikuar.

Shtetet e Bashkuara, të cilat ndihmojnë ushtrinë e Egjiptit me 1.3 miliard dollarë çdo vit, kanë bërë thirrje për dialog.(v.t.)
XS
SM
MD
LG