Ndërlidhjet

Rusia do t’iu refuzojë hyrjen amerikanëve


Kufi në Rusi
Kufi në Rusi
Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka thënë se Rusia do t’iu refuzojë vizat zyrtarëve amerikanë, të cilët, siç ka thënë ai, shkelin të drejtat e njeriut.

Komentet e tij vijnë pasi Senati i Shteteve të Bashkuara ka votuar për sanksionimin e zyrtarëve rusë, që janë të implikuar në vdekjen e avokatit anti-korrupsion, Sergei Magnitsky, dhe në shkelje të tjera të të drejtave humane në Rusi.

Dispozita është pjesë e një ligji të gjerë për heqjen e kufizimeve në tregtinë me Rusinë, të cilat datojnë nga koha e Luftës së Ftohtë.

Moska ka kundërshtuar dispozitën për të drejtat e njeriut, duke kërcënuar me hakmarrje.

I cituar nga mediat ruse, Lavrov ka thënë se ka informuar sekretaren amerikane të Shtetit, Hillary Clinton, për veprimin që planifikon Moska, gjatë takimit të tyre në Dublin, të enjten.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme, Maria Zakharova, ka thënë të premten se ky veprim “do të ketë një efekt shumë negativ në bashkëpunimin e ardhshëm dypalësh”.

“Kjo është një shfaqje në teatrin e absurditetit. Uashingtoni duhet të ketë harruar se cili vit është dhe mendon se Lufta e Ftohtë vazhdon, ose senatorët janë tejet të përfshirë në marrëdhëniet personale dhe harrojnë atë që është shumë e qartë: secila palë mund të refuzojë hyrjen e kujtdo në territorin e saj, nëse e gjen të nevojshme. Nuk ka nevojë për ndonjë akt të veçantë legjislativ”, ka thënë Zakharova.

Senatori republikan, John McCain, ka thënë se veprimi ka dërguar një mesazh të qartë për Kremlinin.

John McCain
John McCain
“Sergei Magnitsy ka qenë një njeri i zakonshëm, por ai është bërë kampion i jashtëzakonshëm i drejtësisë dhe sundimit të ligjit në Rusi, ku këto parime kanë humbur pothuajse gjithë kuptimin e tyre. Mendoj se jemi duke i dërguar mesazh Vladimir Putinit dhe kleptokracisë ruse se këto lloje të abuzimeve me të drejtat e njeriut nuk do të tolerohen pa përgjigjen tonë në një mënyrë të përshtatshme”, ka thënë McCain.

Votimi i legjislaturës në Senat, me 92 vota për dhe 4 kundër, pason votimin në Dhomën e Përfaqësuesve, e cila ka mbështetur masën në muajin nëntor.

Me nënshkrimin e ligjit nga presidenti Barack Obama, Moska do të lirohet nga Amendamenti Jackson-Vanik i vitit 1974, i cili ka imponuar kufizime tregtare me Bashkimin Sovjetik, për shkak të politikës së tij për kufizimin e emigracionit të hebrenjve.

Kufizimet nuk janë marrë parasysh gati dy dekada, por kanë mbetur në libra si simbol i kundërshtimeve të SHBA-së ndaj shkeljeve të të drejtave të njeriut në Rusi.

Marrëdhëniet e Përhershme dhe Normale me Rusinë, ekonominë e shtatë më të madhe në botë, u mundësojnë Shteteve të Bashkuara të përfitojnë nga hyrja e Moskës në Organizatën Botërore të Tregtisë.

Por, në anën tjetër, legjislatura kërkon nga presidenti Obama që publikisht t’iu mohojë vizat dhe ngrijë pasuritë në SHBA të gjithë zyrtarëve rusë, të cilët Shtetet e Bashkuara konsiderojnë se janë të përfshirë në ndjekjen penale dhe vdekjen e Magnistkyt, si dhe të zyrtarëve të tjerë të implikuar në shkelje të tjera në Rusi.

Presidenti do të përballet me një listë prej më shumë se 60 zyrtarësh rusë, e cila është përpiluar nga ligjvënësit që kanë prezantuar legjislacionin.

Avokati rus, Sergei Magitsky, ka vdekur në një burg të Moskës më 2009, pasi ka implikuar zyrtarë të lartë të Rusisë në një skemë të mashtrimit. Ai ka refuzuar vazhdimisht kujdesin shëndetësor dhe dyshohet se është torturuar gjatë pothuajse një viti në paraburgim.

Rusia ka ndjekur vetëm një zyrtar të profilit të ulët në lidhje me vdekjen e tij, ndërsa ka promovuar një numër të tjerësh, të përfshirë në rast.(v.t.)
XS
SM
MD
LG