Ndërlidhjet

WP: Revolucioni i Egjiptit është larg nga përfundimi


Egjipt...
Egjipt...
Asgjë më shumë, sesa ecja përreth Nilit, nuk të ofron një perspektivë historike mbi ndryshimet shumë të rëndësishme që kanë kapluar Egjiptin dhe rajonin arab.

Është kthjelltësi të shohësh këtë komb antik se si reagon ndaj zhvillimeve dramatike që nga rënia e Hosni Mubarakut, shkruan në një artikull të sotëm Washington Post.

Drama e fundit u shkaktua nga presidenti i zgjedhur së fundmi, Mohamed Morsi, i cili i dha vetes kompetenca të gjera të reja nën pretekstin e mbrojtjes së revolucionit nga forcat kundërrevolucionare dhe për të thyer bllokadën mbi hartimin e kushtetutës së re.

Veprimi shkaktoi stuhi politike, shkruan gazeta, duke kujtuar se opozita e dënoi Morsin si “diktator” ndërsa Këshilli Suprem Gjyqësor i Egjiptit e denoncoi atë se e ka vendosur presidencën mbi ligjin. Presioni publik e detyroi Morsin që ta shfuqizojë dekretin e diskutueshëm gjatë fundjavës.

Eskalimi përforcoi besimin në mes të vëzhguesve të botës arabe se suksesi gjithmonë mbart me vete farat e dështimit, dhe lajm i mirë është vetëm një shenjë paralajmëruese e së keqes, shkruan WP.

Por, realizmi nuk duhet të ngatërrohet me cinizmin. Nuk ka nevojë të thuhet se Egjipti përballet me sfida të panumërta politike, sociale dhe ekonomike, thuhet në artikull.

“Revolucioni arab sapo ka filluar. Ashtu si trafiku i Kajros, ai është kaotik, i egër dhe shpesh i dyndur, por vazhdon të rrjedhë. Dhe ngjashëm si trafiku, në fund ai do të matet nga mënyra se si në mënyrë efektive i ka lejuar njerëzit që të arrijnë në destinacionet e tyre e dëshiruara’, shkruan në numrin e sotëm, WP.

Përtej kërkesave të përgjithshme për ndryshimin e regjimit, deri tash ka munguar një agjendë unifikuese politike apo filozofi revolucionare.

Rrëzimi i Mubarakut ishte i shpejtë, por ndërtimi i demokracisë dhe kombit modern është një sfidë e gjeneratave.

Megjithatë, Egjipti, së bashku me Tunizinë, ka shtruar rrugën për një revolucion të ndërgjegjes, vijon tutje artikulli.

Së pari, revolucioni nxiti nocionin e “opinionit publik” arab, që ngadalë, por me siguri do ta zëvendësojë të ashtuquajturën “rrugën arabe”.

Duke iu mohuar për kohë të gjatë qasja në korridoret e pushtetit, njerëzit historikisht kanë shprehur frustrimet politike përmes shpërthimeve sporadike.

Sot, udhëheqësit e zgjedhur janë të kujdesshëm ndaj kritikave publike dhe përpiqen të fitojnë mbështetjen në një përpjekje për të siguruar përtëritjen e mandateve.

Qytetarët tani e kuptojnë peshën e tyre politike dhe do të votojnë për ata
që përfaqësojnë më mirë aspiratat e tyre.

Së dyti, egjiptianët kanë theksuar një dëshirë të madhe për ta përqafuar shtetin civil, duke hedhur poshtë nocionin e një republike ushtarake apo një shteti teokratik.

Pjesa më e madhe e islamikëve, të cilët fituan zgjedhjet, i kanë pranuar parimet e një shteti ku ligji civil – e jo Sheriati - është modus operandi dhe ku feja as nuk është e distancuar dhe as nuk është e imponuar me ligj. Çdo përpjekje për të kundërtën nga Morsi dhe Vëllazëria Myslimane, do të pasojë kundërshtimin popullor, thekson WP.

Realiteti i tretë i madh është përqafimi i demokracisë kushtetuese si sistem i qeverisjes. Si Egjipti, ashtu edhe vendet e tjera arabe, u përballën me sfida e luftës postkoloniale, sovranitetit dhe ndërtimit të kombit, demokracia nuk ka qenë një prioritet kombëtar, le pastaj dëshirën e regjimit. Sot, avokatët e demokracisë përfshijnë edhe ata që, deri kohët e fundit, denoncuan atë si “joislamike”.

Derisa islami politik fillon të luajë një rol më të madh në formësimin e të ardhmes, zhvillimi pushtetit politik do të formësojë lëvizjet islamike. Ata kanë përpara zgjedhjen: ose të bëhen demokratë myslimanë ose të humbasin fitoret e tyre demokratike, thuhet në artikull.

“Udhëheqësit e rinj që i takoj janë të vendosur dhe janë aktivistë të zellshëm të cilët, pavarësisht nga vrasjet, ngacmimi dhe arrestime e dy vjetëve të fundit, kanë vazhduar të organizohen dhe ta çojnë çështjen e tyre direkt te publiku. Kudo dhe kurdo i takoj ata, është e qartë për mua se në mendjet dhe zemrat e tyre, revolucioni vazhdon. Ata janë e ardhmja”, thuhet në artikullin e Marwan Bishara, të botuar në WP.

Përgatiti: Albana Isufi
XS
SM
MD
LG