Ndërlidhjet

Lehtësime potenciale në zhbllokimin e reformës zgjedhore


Foto nga arkivi
Foto nga arkivi
Përfaqësuesit e Partisë Demokratike të Kosovës dhe atë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, muaj me radhë ia kanë hedhur fajin njëri tjetrit lidhur me ngecjet në reformat kushtetuese dhe zgjedhore.

LDK-ja, ka fajësuar PDK-në për moszbatim të marrëveshjes së vitit të kaluar ndërmjet krerëve të PDK-së, LDK-së dhe AKR-së, në bazë të së cilës nisi reforma zgjedhore dhe kushtetuese.

Në përpjekje për dalje nga kjo bllokadë e reformave zgjedhore, krerët e subjekteve politike kryesore, kanë zhvilluar të hënën një takim në praninë e përfaqësuesve të Kuintit, në përpjekje për të çuar përpara këtë proces.

Mirëpo, përveç disa propozimeve, nuk është arritur ndonjë rezultat gjatë atij takimi.

Vonesat - të dëmshme për vendin

Njohësit e çështjeve zgjedhore konsiderojnë se vonesat e reformimit në sistemin zgjedhor janë të dëmshme për vendin.

Ish-kryeshefi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Adnan Merovci, thotë se nuk është i befasuar me ngecjet në shumë procese në vend, duke përmendur reformën zgjedhore edhe atë kushtetuese.

Sipas tij, në Kosovë mos qëndrueshmëritë politike mbijetojnë me vite të tëra, dhe kjo bën që, siç tha ai, të ketë ngecje edhe në reformat e nisura zgjedhore.

I shoh si ngecje, i shoh si të dëmshme, por nuk me befasojnë sepse kjo nuk është diçka e re dhe e pa ditur. Fatkeqësisht, ende qëndrueshmëria politike e vendimeve, ose vullneti politik, është ai që i përcakton të gjitha proceset, në ketë rast edhe të zgjedhjeve. Krerët e partive politike duhet të vendosin gjërat rreth zonave zgjedhore, listave dhe rreth vendimeve tjera që kanë të bëjnë me procesin zgjedhor”, thekson Merovci.

Ai megjithatë, shprehet optimist se në këtë rrafsh do të arrihet marrëveshje në mes të subjekteve politike për reformën zgjedhore, pasi që, siç konsideron ai, në mënyrë racionale nuk mund të behën pengesa nga asnjë subjekt politik.

Edhe pse në këto raste ka edhe njëfarë lloj pazari, le të themi politik, do të thotë të lëshohet pe në diçka, në një çështje, në favor të një çështjeje. Por, tani ka ardhur koha edhe janë të vetëdijshëm, por secili mundohet ta nxjerrë një maksimum, por ka edhe të tillë që në këto raste, thjesht bëhen edhe pengës. Por jam optimist se do të gjendet një zgjidhje shumë shpejt. Por, grupi punues mos të them se ka punuar kot, sepse nuk do të merren parasysh vendimet ose synimet e tyre”, deklaron Merovci.

Ndryshe, nga herët e tjera, në takimin e djeshëm në mes të drejtuesve të partive politike në vend, i cili u mbajt me ftesën e kryetari LDK-së Isa Mustafa, çështja e zgjedhjes së presidentit nuk është diskutuar.

Lidhur me ketë çështje, Leon Malazogu nga Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D), shprehet:

Tani së paku duket se është arritur pajtim që të hiqet reforma e zgjedhjes së presidentit nga kalkulimi, kështu që do të thotë tani për tani mbetet zgjedhja e presidentes ashtu si është nëpërmjet Kuvendit, dhe të izolohet vet efekti në ato zgjedhore, gjë për të cilën mendoj që është lehtësuar mjaft arritja e një konsensusi potencial. Tani do të bisedohet sa i takon listave të hapura dhe zonave që në parim janë dilemat kryesore”, shprehet Malazogu.

Qëllimi kryesor i reformave zgjedhore është që nga një zonë, të ketë më shumë zona. Malazogu thotë se për këtë çështje ka argumente të ndryshme.

Ka edhe argumente për gjashtë zona, edhe për pesë, edhe për shtatë. Dhe të gjitha këto i kanë përparësitë dhe të metat e tyre. Nuk ka një përgjigje të saktë, por në fund të fundit do të shkohet sigurisht me një pajtim të përgjithshëm”, thotë Malazogu.

Për më shumë se tre muaj, Komisioni për Reformën Zgjedhore është dashur që t’i procedojë Kuvendit propozimet ligjore për miratim.

Përfaqësuesit e shoqërisë civile kanë kritikuar paritë politike që për muaj me radhe kanë lënë pezull reformat kushtetuese dhe zgjedhore.
XS
SM
MD
LG