Ndërlidhjet

Obama: Zemrat e popullit janë thyer


Presidenti Barack Obama fshin lotët gjatë fjalimit lidhur me tragjedinë ku u vranë 20 fëmijë dhe 6 mësues.
Presidenti Barack Obama fshin lotët gjatë fjalimit lidhur me tragjedinë ku u vranë 20 fëmijë dhe 6 mësues.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, u ka bërë thirrje amerikanëve që të bashkohen, pas tragjedisë që ka goditur një shkollë në Konektikat, ku një person i armatosur ka vrarë 27 persona, në mesin e tyre 20 fëmijë.

Në një fjalim televiziv, ai ka thënë se “zemrat e popullit janë thyer”.

Shumica e atyre që kanë vdekur ishin fëmijë – fëmijë të vegjël dhe të bukur nga mosha 5 deri në 10 vjeç. Ata kanë pasur gjithë jetën para tyre: ditëlindjet, diplomimet, martesat, fëmijët e tyre. Në mesin e të vrarëve ka edhe mësues, burra dhe gra që u kanë kushtuar jetën fëmijëve tanë për të përmbushur ëndrrat e tyre. Andaj, zemrat tona sot janë thyer”, ka thënë presidenti Obama.

Shkolla Fillore “Sandy Hook” ka fëmijë nga kopshti deri në klasën e katërt.


Evakuimi nga skena e krimit
Evakuimi nga skena e krimit
Duke folur para gazetarëve, një banor i Njutaunit ka përshkruar atë që ka ndodhur:

Ishte një njeri, i maskuar, i cili filloi të qëllonte. Nuk e di se si ka hyrë brenda, sepse kushdo që vjen duhet t’i bie ziles dhe ata ju shohin nga brenda dhe e dinë kush jeni”.

Sulmi në Shkollën Fillore “Sandy Hook” është i fundit në valën e disa sulmeve të ngjashme që kanë ndodhur këtë vit në SHBA dhe njëri nga incidentet e tilla më të rënda.

Obama ka thënë se Shtetet e Bashkuara kanë pësuar shumë sulme.

Si vend, ne kemi kaluar nëpër këtë shumë herë – në shkollën fillore në Njutaun, në qendrën tregtare në Oregon, në tempullin në Uiskonsin, në kinemanë në Aurora apo në një cep të rrugës në Çikago. Këto lagje janë lagjet tona dhe këta fëmijë janë fëmijët tanë. Ne duhet të bashkohemi dhe të ndërmarrim masa kuptimplota për të parandaluar tragjeditë e tjera si kjo, pavarësisht nga politika”, ka thënë Obama.

Këtë vit, një person i armatosur ka vrarë 12 njerëz në një teatër të Kolorados, ndërsa një tjetër i armatosur ka vrarë gjashtë persona përpara se të vriste veten në Tempullin Sikh të Uiskonsonit.

Policia ka thënë se autori i dyshuar i tragjedisë në “Sandy Hook” është Adam Lanza, 20 vjeç, nëna e të cilit ka punuar në shkollë.

Ai ka vrarë së pari nënën e tij në shtëpi, për të kryer pastaj vrasjet në shkollë, përpara se në fund të vetëvritej.

Kryeministri britanik, David Cameron, Mbretëresha e Britanisë, Elizabeth, dhe presidenti i Francës, Francois Hollande, janë në mesin e liderëve botërorë që kanë shprehur pikëllimin e tyre për ngjarjen.(v.t.)
XS
SM
MD
LG