Ndërlidhjet

Amerika në zi...


Të 20 fëmijët që janë qëlluar për vdekje në shkollën “Sandy Hook” në Konektikat, kanë qenë të moshës 6 dhe 7 vjeç.

Autoritetet mjekësore kanë thënë se sulmuesi ka përdorur pushkën si armën e tij kryesore dhe se të gjitha viktimat janë qëlluar disa herë.

Unë kam bërë këtë punë për një të treten e shekullit. Por, kjo është më e keqja që kam parë apo që di unë se kanë parë kolegët e mi”, ka thënë Wayne Carver II, kryeshef i mjekësisë ligjore për shtetin Konektikat.

I armatosuri, i identifikuar si Adam Lanza, ka vrarë nënën e tij, përpara se të shkonte në shkollë dhe të bënte masakër.

Gjashtë të rritur, të gjitha femra, janë vrarë po ashtu para se sulmuesi të vriste veten.

Fëmija më i vogël që është vrarë, ka qenë Noah Pozner, i cili ka festuar ditëlindjen e tij të gjashtë muajin e kaluar.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, do të vizitojë sot shkollën ku ka ndodhur krimi, për të takuar familjet e viktimave dhe për të biseduar me to.

Pas sulmit, Obama ka bërë thirrje për “veprime kuptimplota” kundër krimit me armë në SHBA.

Si një komb, ne kemi pësuar shumë tragjedi të tilla në vitet e fundit: në shkollën fillore në Njutaun, në qendrën tregtare në Oregon, në tempullin e shenjtë në Uiskonsin, në kinemanë në Kolorado e të tjera. Secila nga këto lagje, mund të jetë e jona, andaj duhet të bashkohemi. Duhet të ndërmarrim veprime kuptimplota për të parandaluar tragjedi të tjera si kjo, pavarësisht nga politika”, ka thënë Obama.

Sipas autoriteteve policore, vrasjet e së premtes kanë ndodhur në dy klasa, ndërsa të shtënat kanë zgjatur “vetëm disa minuta”.

Kur kanë dëgjuar të shtënat, mësueset kanë bërë përpjekje të mbrojnë fëmijët, duke mbyllur dyert e klasave dhe duke i fshehur ata në dollapë.

U kam thënë fëmijëve të jenë të qetë. U kam thënë që i dua shumë dhe se gjithçka do të jetë në rregull, sepse kam menduar se kjo do të jetë gjëja e fundit që do të dëgjojnë”, thotë mësuesja Kaitlin Roig, duke rrëfyer momentet e tmerrit.

Nëpunësja e bibliotekës, Maryann Jacob, ka mbledhur tetëmbëdhjetë fëmijët në një qoshe të dhomës dhe ka bllokuar derën me një skedar.

Kemi nisur të ngjyrosim me ngjyra në letër, për t’ua tretur mendjen”, thotë ajo.

Banorët e qytetit kanë anuluar festat e Krishtlindjeve dhe kanë larguar nga oborret e tyre dekorimet festive. Shumë shtete kanë ulur flamujt në gjysmështizë, ndërsa shtëpitë e adhurimit dhe shkollat janë mbushur me njerëz që luten për viktimat.

Babai i sulmuesit, Peter Lanza, i cili nuk ka jetuar me të, ka lëshuar një deklaratë, përmes së cilës ka shprehur ngushëllimet për familjet e viktimave.

Familja jonë është në pikëllim, bashkë me të gjithë ata që janë prekur nga kjo tragjedi e madhe. Asnjë fjalë nuk mund të shprehë atë se sa zemërthyer jemi”, thuhet në deklaratën e tij.

Adam Lanza ka jetuar me nënën e tij në një lagje të mirë të Njtaunit. Shtëpia e tyre ndodhet 8 kilometra nga shkolla “Sandy Hook”, ku, sipas disa raporteve, ai ka ndjekur mësimet fillestare.

Tragjedia në Njutaun është sulmi i dytë vdekjeprurës në një shkollë apo universitet të Shteteve të Bashkuara.

Në vitin 2007, një student në një universitet të Virxhinias ka vrarë 32 njerëz dhe ka plagosur disa të tjerë.(v.t.)

Emrat e viktimave:


Charlotte Bacon, 6 vjeç

Daniel Barden, 7 vjeç

Rachel Davino, 29 vjeç

Olivia Engel, 6 vjeç

Josephine Gay, 7 vjeç

Ana Marquez-Greene, 6 vjeç

Dawn Hochsprung, 47 vjeç

Dylan Hockley, 6 vjeç

Madeleine Hsu, 6 vjeç

Catherine Hubbard, 6 vjeç

Chase Kowalski, 7 vjeç

Jesse Lewis, 6 vjeç

James Mattioli, 6 vjeç

Grace McDonnell, 7 vjeç

Anne Marie Murphy, 52 vjeç

Emilie Parker, 6 vjeç

Jack Pinto, 6 vjeç

Noah Pozner, 6 vjeç

Caroline Previdi, 6 vjeç

Jessica Rekos, 6 vjeç

Avielle Richman, 6 vjeç

Lauren Russo, 30 vjeç

Mary Sherlach, 56 vjeç

Victoria Soto, 27 vjeç

Benjamin Wheeler, 6 vjeç

Allison Wyatt, 6 vjeç
XS
SM
MD
LG