Ndërlidhjet

Zemra gjigante e Havelit ndriçon Brukselin


Bruksel...
Bruksel...
Brukseli është ndalesa e parë e veprës së artit në një udhëtim, që supozohet se do ta dërgojë atë të paktën deri te kryeqyteti afgan, Kabuli.

Zemra daton që nga mbarimi i mandatit të dytë të Vaclav Havelit si president i Republikës Çeke, kur në një gjest lamtumirës me publikun, qe vendosur në maje të Kështjellës së Pragës në dhjetor të 2002-ës.

Haveli, ka vdekur një vit më parë, më 18 dhjetor, 2011, në moshën 75-vjeçare, ndërsa këtë përvjetor të parë, aktivistët e demokracisë, të të drejtave të njeriut dhe intelektualët në tërë botën, ka një javë që po e shënojnë.

Dramaturgu i ndjerë dhe lideri i Kartës 77, u bë i famshëm me zemrën e vogël të vendosur pranë nënshkrimit të tij, në dekadat kur luante një rol të rëndësishëm në rrëzimin e regjimit njëpartiak në Evropën Qendrore dhe Lindore si dhe përtej saj.

Zemra e neonit është ruajtur në Pragë, por, tash do ta ndriçojë ndërtesën e Parlamentit Evropian deri në fund të janarit, për të përkujtuar presidentin e fundit të Çekosllavoakisë dhe presidentin e parë çek, që ndihmoi shpërbërjen e Paktit të Varshavës dhe e çoi vendin e tij në NATO si dhe inicioi anëtarësimin e Çekisë në Bashkimin Evropian.

Lucie Cadilova, drejtuesja e Reprezentacionit të Pragës në Bashkimin Evropian në Bruksel, thotë se ideja fillestare ishte që të vendosej zemra në fasadën ku ndodhej delegacioni i saj.

Por, Parlamenti Evropian vendosi ndryshe, aq më tepër, kur u bë e qartë se konstruksioni 15 me 17 metra, ishte tepër i madh për atë ndërtesë.

Ne kemi menduar se meqë është përvjetori i parë i Vaclav Havelit, duhet të sjellim diçka të madhe për të shënuar këtë përvjetor, për ta kujtuar Vaclav Havelin”, u shpreh Cadilova.

Janë dashur katër ditë për ta transportuar pjesën 275 kilogramësh të krijuar nga Jiri David.

Fondacioni Massoud do ta transportojë zemrën në Afganistan në shtatorin e ardhshëm, për të përkujtuar vdekjen e liderit politik dhe ushtarak Ahmad Shah Mas'ud, që mendohet se është vrarë nga operativët e Al Kaidës më 9 shtator të 2001-ës.

Kreu i projeksionit të zemrës, Robert Klemm, thotë se Havel është pajtuar që zemra të udhëtojë në Afganistan, por vetëm, tash është bërë i mundur një transport në një distancë të tillë.

Sa i përket vendit të instilacionit, kemi zgjedhur një stadium, ku ndodhnin ekzekutimet publike gjatë të ‘90-tave. Që nga ajo kohë, stadiumi ka simbolizuar lëvizjen për liri. Është vendi ku talibanët kanë ekzekutuar njerëz deri në vitin 2001. Andaj, ai vend i shërben qëllimit të respektit të njerëzve që luftojnë për liri”, u shpreh Klemm.

Havel e përshkruante zemrën, si simbol të “dashurisë, mirëkuptimit dhe mirësjelljes”.(a.i.)
XS
SM
MD
LG