Ndërlidhjet

A mund të çojë masakra në shkollë te ligje më të rrepta për armët?


Përkujtim për viktimat e Shkollës Fillore Sandy Hook
Përkujtim për viktimat e Shkollës Fillore Sandy Hook
Vrasjet e njëzet fëmijëve dhe shtatë zyrtarëve shkollorë në Konektikat të Shteteve të Bashkuara kanë nxitur debate urgjente për ligjin e armëve.

Derisa vazhdon funerali i viktimave, zyrtarët thonë se amerikanët nuk mund të vazhdojnë të injorojnë faktin se e drejta kushtetuese për pronësi të armëve ka një kosto të tmerrshme.

Të shtënat më masive në historinë moderne të Shteteve të Bashkuara kanë ndodhur në vitin 2007, kur një student ka vrarë 32 persona në Institutin Politeknik të Virxhinias.

Në pesë vjetët vijues, ka pasur të paktën shtatë masakra të ngjashme në Shtetet e Bashkuara.

Por, asnjëra nuk ka nxitur kaq zemërim të madh publik dhe thirrje për ndryshim sesa vrasjet e fundit në Shkollën Fillore Sandy Hook.

Në nivelin politik, bisedat për armë i ka nisur presidenti Barack Obama, kur ka folur për viktimat.

Si vend, ne kemi kaluar nëpër këtë shumë herë – në shkollën fillore në Njutaun, në qendrën tregtare në Oregon, në tempullin në Uiskonsin, në kinemanë në Aurora apo në një cep të rrugës në Çikago. Këto lagje janë lagjet tona dhe këta fëmijë janë fëmijët tanë. Ne duhet të bashkohemi dhe të ndërmarrim masa kuptimplota për të parandaluar tragjeditë e tjera si kjo, pavarësisht nga politika”, ka thënë Obama.

Presidentit i janë bashkuar politikanë të lartë, të cilët kanë mbrojtur fuqishëm të drejtat për armë në Amerikë. Njëri nga ta është senatori demokrat, Joe Manchin.

Ai u ka bërë thirrje “miqve të tij” në Shoqatën Kombëtare të Armëve që të bisedojnë me mbështetësit e kontrollit të armëve dhe të dalin me një “qasje të ndjeshme dhe të arsyeshme”.

Është koha të lëvizim përtej retorikës. Duhet të bisedojmë dhe të lëvizim në mënyrë të arsyeshme. Kjo ka ndryshuar dialogun dhe duhet të lëvizim përtej dialogut. Kemi nevojë për vepra”, ka thënë Manchin.

Armët sulmuese janë përdorur në disa nga të shtënat masive, përfshirë edhe këto të fundit. Kongresi ka miratuar një ndalesë të përkohshme të armëve sulmuese më 1994, por kur ndalesa ka skaduar dhjetë vjet më vonë, ligjvënësit nuk e kanë rinovuar atë.

Siç është e ditur, Amendamenti i Dytë i Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara siguron të drejtën për “bartjen e armëve”, por qëllimi i saktë i kësaj është debatuar me dekada.

Së fundmi, Gjykata Supreme ka afirmuar të drejtën individuale të qytetarëve për armët personale dhe ka refuzuar ligjet shtetërore dhe lokale që kërkojnë të kufizohet shitja e disa llojeve të armëve.

Dhe, deri më sot, Shoqata Kombëtare e Armëve, me 4 milionë anëtarë, ka kritikuar çdo politikan, i cili ka bërë përpjekje të vërë ndonjë kufizim në shitjen e armëve të zjarrit.

Por, Daniel Nagin, profesor i politikave publike dhe kriminologjisë në Universitetin Carnegie Mellon, thotë se ndryshimi i papritur i qëndrimit të Manchinit mund të jetë fillimi i ndryshimit të paradigmës në Kongres.

Senatori Manchin ka qenë mbështetës i madh publik i Shoqatës Kombëtare të Armëve dhe një person i tillë të thotë atë çfarë ka thënë, është mjaft e rëndësishme”, thotë Nagin.

Manchin nuk është i vetëm. Anëtari i Dhomës së Përfaqësuesve, John Yarmuth, nga Konektikati, ka lëshuar një deklaratë, e cila thotë:

Unë kam qenë kryesisht i heshtur për çështjen e dhunës me armë gjatë gjashtë vjetëve të kaluar. Shoqata Kombëtare e Armëve ka shpenzuar miliona dollarë duke rrënjosur frikën te qytetarët tanë dhe politikanët. Unë mendoj se është më racionale të kemi frikë nga armët”.

Senatorja Diane Feinstein ka thënë se do të paraqesë një ndalesë të re për armët sulmuese në muajin janar.

Republikanët nuk kanë komentuar nëse do të mbështesin ose jo këtë projektligj, por shumë nga ta kanë bërë thirrje për “ftohje të situatës” para se të shkruhen ligje të reja.

Një sondazh i përbashkët i Reuters-it dhe Ipsos-it ka gjetur se përqindja e njerëzve që favorizojnë rregulla më të ashpra për armët, është rritur pas të shtënave tragjike të javës së kaluar.

Pesëdhjetë për qind e të anketuarve pas tragjedisë janë pajtuar se “pronësia e armëve duhet të ketë rregulla të forta ose kufizime”, çfarë është më shumë se 42 për qind, sa ka qenë më parë. Ndërkaq, numri i njerëzve që favorizojnë ndalesën e armëve sulmuese është rritur për 6 për qind, në 60 për qind.

Ironikisht, grupi që ka më së shumti për të thënë gjatë debateve për kontrollin e armëve, ka mbetur i heshtur. “Derisa faktet të bëhen të ditura plotësisht, nuk do të kemi asnjë koment”, ka thënë përmes një deklarate Shoqata Kombëtare e Armëve.(v.t.)
XS
SM
MD
LG