Ndërlidhjet

SHBA: Peticion në Internet për sanksione ndaj ligjvënësve rusë


Fëmijë në Rusi
Fëmijë në Rusi
Më se 27 mijë nënshkrime elektronike janë regjistruar në peticionin në Internet, me të cilin nga Qeveria e Shteteve të Bashkuara kërkohet që të imponojë sanksione kundër ligjvënësve rusë, që e kanë mbështetur legjislacionin për ndalesën që fëmijët rusë të adoptohen nga shtetasit amerikanë.

Në peticion kërkohet që Shtëpia e Bardhë t’i shtojë emrat e ligjvënësve rusë në listën e shtetasve rusë, që ballafaqohen me sanksione sipas legjislacionit Akti Sergei Magnitsky për Sundim të Ligjit, i miratuar aktualisht.

Shtëpia e Bardhë ka premtuar se do t’u përgjigjet të gjitha peticioneve që mbledhin më tepër se 25 mijë nënshkrime brenda 30 ditësh, pas publikimit në Internet.

Megjithatë, presidenti nuk është i obliguar të ndërmarrë ndonjë aksion.

Peticioni po promovohet aktivisht në mediat sociale ruse, dhe pothuajse të gjitha nënshkrimet, me gjasë të shumta, janë të shtetasve rusë.

Në faqen e tij në Facebook, aktivisti Mikhail Shneider, ka shkruar:

“Nënshkrimet nënkuptojnë se presidenti është i obliguar ta pranojë çfarëdo peticioni, që është i nënshkruar nga së paku 25 mijë njerëz brenda 30 ditësh. Ne kemi mbledhur më tepër vetëm për një ditë...Ne vazhdojmë të mbledhim. Deri më 20 janar, kur kalon afati 30 ditësh, mbesin edhe 40320 minuta. Ne tash po i tubojmë ndërmjet 30 dhe 35 nënshkrime në minutë. Deri më 20 janar ne mund t’i mbledhim më tepër se një milion nënshkrime”.

Vyaecheslav Nikonov, zëvendëskryesues i Komitetit për Çështje Ndërkombëtare i Dumës Ruse, njëherësh anëtar i partisë udhëheqëse në qeveri, Rusia e Bashkuar, i tha agjencisë Interfax se çfarëdo hapi për përfshirjen e ligjvënësve rusë në listën e sanksioneve të Shteteve të Bashkuara, do të prodhonte përgjigje të ashpër në Rusi.

“Ky mund të jetë rasti i parë në histori ku çështja e sanksioneve kundër ligjvënësve në vendin e jashtëm mund të shtrohet në një shkallë të këtillë”, tha Nikonov.

Opozita politike e Rusisë dhe pjesa më e madhe e opinionit janë të tmerruar nga legjislacioni, të cilin e miratoi Duma Ruse, javën e kaluar.

Kundërshtarët e këtij legjislacioni rus kanë demonstruar para ndërtesës së Dumës dhe kanë akuzuar se ligjvënësit po i mbrojnë interesat e tyre para nevojave të fëmijëve jetimë në Rusi.

Mikhail Fedotov, kryesues i Këshillit Presidencial për të Drejtat e Njeriut, tha se parlamenti rus do të duhej t’i tërhiqte masat kundër adoptimit të fëmijëve rusë nga shtetasit amerikanë dhe i ka bërë thirrje opinionit që të mos simpatizojë për “histerinë anti-amerikane ose anti-ruse”.

Ky legjislacion pritet të votohet edhe në Këshillin e Federatës më 26 dhjetor.

Presidenti i Rusisë, Vlladimir Putin, është shprehur në favor të legjislacionit, por nuk ka theksuar nëse do ta nënshkruajë atë. (f. b.)
XS
SM
MD
LG