Ndërlidhjet

Varroset viktima e dhunimit brutal në Indi


Duke bartur trupin e pajetë të 23-vjeçares së përdhunuar...
Duke bartur trupin e pajetë të 23-vjeçares së përdhunuar...
Ceremonia e varrimit të vajzës 23-vjeçare, e cila ka qenë viktimë e një dhunimi brutal, është mbajtur në New Delhi. Më 16 dhjetor, vajza është sulmuar në një autobus urban të kryeqytetit indian dhe është dhunuar brutalisht nga 6 persona.

Përkundër përpjekjeve të mjekëve për ta shpëtuar, ajo ka ndërruar jetë të shtunën në një spital të Singaporit.

Mijëra indianë kanë ndezur qirinj dhe janë lutur për viktimën e re. Prem Das Tripathi, një prift hindu, ka kryer një ritual të veçantë zjarri në New Delhi.

“Qëllimi i këtij rituali është lutja për mbrojtjen kundër dhunimeve dhe krimeve të tjera kundër grave. Politikanët tanë janë të heshtur ndaj kësaj çështjeje dhe nuk ofrojnë siguri të duhur për gratë apo ligje të rrepta kundër dhunimit”, ka thënë prifti hindu.

Në ceremoninë e varrimit, të mbajtur në qarkun Dvarka të New Delhit, kanë marrë pjesë familjarët e viktimës dhe diza zyrtarë qeveritarë.

Vajza ka qenë studente e Mjekësisë dhe është dashur të martohet në muajin shkurt. Ajo është sulmuar, pasi ka hyrë në autobus me të fejuarin e saj.

Grupi prej gjashtë burrave ka rrahur rëndë çiftin, ka dhunuar vajzën dhe i ka futur një shkop hekuri në trupin e saj, duke i dëmtuar rëndë disa organe.

Emri i vajzës nuk është bërë i ditur, me kërkesën e familjes për të respektuar privatësinë.

Zyrtarë në mbarë botën, përfshirë edhe sekretarin e përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara,Ban Ki-moon, kanë ngushëlluar familjen.

Të shtunën, gjashtë burrat e arrestuar për dhunim, janë akuzuar për vrasje, ndërsa policia ka thënë se ata mund të përballen me dënim me vdekje.

Krimi ka nxitur protesta në gjithë Indinë. Disa protestues kanë akuzuar zyrtarët se bëjnë pak për mbrojtjen e grave dhe ndjekjen penale të sulmuesve.

Njëra protestuese me emrin Shruit u ka bërë thirrje autoriteteve që të ndërmarrin masa kundër, siç ka thënë ajo, “kulturës së dhunimit”.

“I bëjmë thirrje qeverisë qendrore dhe qeverisë shtetërore që të ndërmarrin hapa të menjëhershëm për të ndaluar të gjitha sulmet seksuale dhe dhunën mbi gratë”, ka thënë ajo.

Qeveria tashmë ka premtuar se do të shqiptojë dënime të ashpra për krimet e dhunshme seksuale.

New Delhi ka numrin më të lartë të krimeve seksuale në mesin e qyteteve të mëdha të Indisë. Shifrat e policisë flasin për një dhunim të raportuar pothuajse në çdo 18 orë.

Të dhënat e qeverisë, ndërkaq, tregojnë se numri i rasteve të raportuara të dhunimit është rritur për gati 17 për qind midis 2007-s dhe 2011-s.(v.t.)
XS
SM
MD
LG