Ndërlidhjet

Presidenti i Azerbajxhanit - personi më i korruptuar i vitit


Ilham Aliyev
Ilham Aliyev
Në vitin 2012, organizata mbikëqyrëse e korrupsionit “Transparency International” ka vlerësuar se dy të tretat e vendeve të botës mund të konsiderohen si “shumë të korruptuara”. Me një konkurrencë të tillë nuk ka qenë e lehtë të zgjidhet “personi më i korruptuar i vitit”.

Por, një organizatë joqeveritare, e cila merret me gazetari hulumtuese, ka bërë pikërisht këtë.

Projekti për Raportimin e Krimit të Organizuar dhe të Korrupsionit, me seli në Sarajevë dhe Bukuresht, i ka dhënë këtë titull presidentit të Azerbajxhanit, Ilham Aliyev.

Grupi, i cili merret me raportimin e korrupsionit në rajon dhe mbulon Evropën Lindore deri në Azinë Qendrore, ka “nderuar” edhe disa persona të tjerë, si: kosovarin Naser Kelmendi, të dyshuar për kontrabandë me drogë dhe cigare, presidentin e Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, biznesmenin serb me lidhje të mira politike, Mirosllav Mishkoviq, presidentin e Uzbekistanit, Islam Karimov, dhe trafikuesin serb të drogës, i cili ndodhet në arrati, Darko Shariq.

Lista joformale është përcaktuar nga përfaqësues të 15 organizatave ndërkombëtare mediatike, të cilat përbëjnë Projektin për Raportim të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.

Grupimi ka shpallur “fitues” Aliyevin, duke cituar raporte dhe prova të mirë-dokumentuara se “familja e tij ka marrë sistematikisht aksionet e bizneseve më fitimprurëse në Azerbajxhan” për disa vite me radhë.

Raportet përfshijnë aksione sekrete të pronësisë në banka, firma ndërtimi dhe miniera ari.

Shumë nga to janë hetuar nga anëtarja e Projektit, Khadija Ismayilova, gazetare në shërbimin azerbajxhanas të Radios Evropa e Lirë.

Paul Radu është drejtor ekzekutiv i Projektit për Raportim të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.

“Presidenti Aliyev dhe familja e tij, së bashku me persona të tjerë në rrethin e tij të brendshëm, janë të përfshirë në shumë biznese sekrete që kemi zbuluar së bashku me Radion Evropa e Lirë. Kemi identifikuar kompani të fshehura që janë në pronësi të familjes së parë të Azerbajxhanit në Panama ose për shembull në Republikën Çeke”, thotë Radu.

Megjithatë, shton ai, ndikimi i raportimit të tillë në rastin e familjes Aliyev nuk ka qenë ai që pritej.

Strukturat pronësore të aseteve të huaja familjare janë ndryshuar, ndërsa Parlamenti i Azerbajxhanit, në muajin qershor, ka kaluar një ligj, i cili e ka bërë edhe më të vështirë zbulimin e strukturave të pronësisë.

Gazetarja Ismayilova, po ashtu, ka qenë subjekt i një fushate të tmerrshme të kërcënimeve.

Por, projekti në fjalë synon të vazhdojë punën për të hedhur dritë mbi ndikimin global të krimit dhe të korrupsionit. Radu thotë se shumica e njerëzve që ka listuar kjo organizatë kanë lidhje të dyshimta përtej kufijve të vendeve të tyre.

“Ka persona si Darko Sadiq, për shembull, i cili është i njohur si trafikues droge. Ata nuk janë shumë të njohur jashtë Ballkanit, por, në fakt, janë pjesë e rrjeteve shumë të mëdha që ndonjëherë shtrihen edhe nëpër kontinente. Sadiq ka qenë i përfshirë në trafikimin e kokainës nga Argjentina në të gjitha rrugët e Ballkanit”, thotë Radu.

Ai shton se krimi i organizuar nga Ballkani dhe ish-Bashkimi Sovjetik është thellë i përfshirë në luftërat e egra të drogës në Meksikë.(v.t.)
XS
SM
MD
LG