Ndërlidhjet

Shqipëri: Mosplotësimi i kritereve, humbje e shanseve për statusin


Ilustrim
Ilustrim
Analistët besojnë se tri ligjet kusht i Komisionit Evropian që Shqipëria të fitojë statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Evropian, nuk kanë asnjë shans të miratohen përpara zgjedhjeve të 23 qershorit. Siç thotë analisti Aleksandër Cipa, deri te përballja elektorale, ato do të përdoren si kauzë për luftë politike.

“Mundësia pa dyshim që është e hapur, por problemi është se të dyja palët s’kanë mundësi për ta realizuar këtë masë aritmetikore të votimit në Parlament. Tashmë janë në ditët e tyre më të nxehta elektorale. Si të tilla ato do ta shikojnë si një çështje të kapitalit elektoral dhe jo më si një detyrim moral në raport me ambicien kombëtare për fitimin e statusit të vendit kandidat për në BE, të Shqipërisë”, thotë Cipa.

Pamundësinë e miratimit të këtyre ligjeve analistja Brisejda Mema e lexon dhe te pozicionimi i fortë, pa shumë opsione për bashkëpunim, i dy partive të mëdha:

“Më duket sikur të dy palët janë pozicionuar shumë mirë në llogoret e tyre dhe duke pasur parasysh se ligjet me 3/5-tat janë kthyer dhe në fakt janë, një tango dyshe dhe duke parë edhe pozicionimet në llogore që secila palë gjuan dhe pret njëra-tjetrën sesi do të veprojë, kam përshtypjen dhe bindjen se këto ligje përsëri do të jenë një nga ingranazhet kryesore, me të cilët të dyja palët do të shkojnë në zgjedhje, duke gjuajtur me topa njëra- tjetrën. Njëra palë me akuza se u pengua integrimi në Bashkimin Evropian dhe pala tjetër do të nxjerrë arsyet e veta se pse nuk votoi ligjet me 3/5-tat”.

Me mosmiratimin e tri ligjeve në Kuvend, vendi humbi mundësinë që në mbledhjen e Këshillit të ministrave të jashtëm të BE të dhjetorit 2012, të merrte përgjigje pozitive për statusin.

Kjo, në fakt, ndodh për të tretin vit me radhë për Shqipërinë, pra që mosplotësimi i kritereve të paracaktuara nga Brukseli t’i kushtojë me humbje të shanseve për statusin.

Analisti Frok Çupi thotë se arsyet duhen kërkuar tek opozita, si fajtore kryesore e kësaj situate:

“Marrja e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë është konsideruar nga opozita sidomos nga socialistët, si një shans që i jepet mazhorancës. Për sa kohë e ka kthyer në tabu brenda Partisë Socialiste edhe sikur Bashkimi Evropian edhe sikur SHBA, edhe sikur aleatët e tjerë perëndimorë të mund t’i thonë opozitës që duhet t’i votoni, përsëri masa e udhëheqësve të Partisë Socialiste nuk do të pranonte, do të krijohej një çarje pasi ata e kanë kthyer në një lloj religjioni. Një religjion që gjithçka duhet kundër Berishës, për të shporrur Berishën, qoftë edhe vetë integrimin në Bashkimin Evropian”.

Por, analisti Aleksandër Cipa beson se fajtore kryesore për mosvotimin e tri ligjeve është mazhoranca, e cila në asnjë rast nuk diti të tregohet bashkëpunuese me opozitën.

“Përgjegjësia kryesore i adresohet shumicës, sepse kjo duhet të dhurojë më tepër luajalitet dhe, nga ana tjetër, edhe tërheqje. Në jetën politike të vendit mungojnë aktet e pastra të tërheqjes së shumicës së kryesuar nga zoti Berisha”.

Sipas tij, opozita ka fajin e vetëm që kauzat e saj të drejta politike, me të cilat kushtëzoi miratimin e tri ligjeve, nuk arriti, thotë Cipa, t’i argumentojë siç duhet publikisht.

“Opozita në Shqipëri shpesh ka qenë e paaftë për të argumentuar konsistencën e vet të refuzimit, sepse në princip mund të ketë pasur të drejtë, por realisht nuk ka studiuar mirë efektet që sjell për interesat e vendit, për integrimin apo qoftë edhe për qytetarët e thjeshtë refuzimi i saj. Në jo pak raste ajo e ka pasur të pamjaftueshme oratorinë bindëse për çështjen e qëndrimeve te veta. Dhe, kjo është arsyeja që është perceptuar sikur opozita nuk ka ditur se çfarë kërkon”, sqaron Cipa.

Por, a do t’i jepnin Shqipërisë statusin tri ligjet, nëse ato votoheshin në Kuvend?

Disa ambasadorë të akredituar në Tiranë në deklarata mediatike kanë thënë se jo domosdoshmërish, pasi sipas tyre Shqipëria ka ende shumë punë për të bërë.

Analisti Frok Çupi thotë se jo gjithmonë duhen marrë për të vërteta ato çfarë thuhen nga përfaqësuesit diplomatike në Tiranë të disa vende të BE-së.

“Këta zëra janë shpesh herë të nxituar, shpeshherë janë edhe me mungesë informacioni, shpeshherë përkthehen keq, shpesh herë janë edhe të dyzuar për shkak të interesave që kanë në Shqipëri etj, etj. Është tjetër gjë ambasadori i një shteti aleat, i cili është ‘lëshuar për t’u sakrifikuar’ në çdo rrethanë. Në parimet e diplomacisë ‘lëshohen’ për të thënë edhe gjëra që mund të mos jenë të vërteta”, shprehet Çupi.

Ai sugjeron të besohen deklaratat zyrtare të institucioneve që japin statusit, rasti i komisionarit për zgjerim Stefan Fyle:

“Ajo çfarë është shumë e rëndësishme, dhe kryesorja, është ajo çfarë thuhet nga institucionet e Bashkimit Evropian. Vetë komisionari për zgjerim Shtefan Fyle deklaroi se janë vetëm tri ligjet që duan miratim me 3/5-tat”.

Në listën me 12 rekomandime adresuar Shqipërisë prej raportit të progresit të 2010-s, kanë mbetur tri pa u përmbushur. Ligji për Gjykatën e Lartë, ai për Administratën Publike dhe amendamentimi i Rregullores së Kuvendit pritet ende të kalojnë provën parlamentare.

Prej mosvotimit të tyre, siç thotë Brisejda Mema, më shumë sesa politika, ndëshkohet vendi që humbet shumë në rrugën për integrim.

“Megjithatë, ajo që detyrimisht markon aprovimin apo mosaprovimin e ligjeve me 3/5-tat, flasim për ata që paguajnë, është në fund të fundit Shqipëria. Nuk ka rëndësi kush i aprovon dhe kush nuk i aprovon, rëndësi ka që këto ligje nuk kaluan dhe në fund të fundit ishin një pikë shumë e madhe në mungesat në drejtim të plotësimit të kushteve të Shqipërisë”, vlerëson Mema.
XS
SM
MD
LG