Ndërlidhjet

SHBA - Rusi: Lufta për birësimin e fëmijëve


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Vendimi i vitit të kaluar i Rusisë për ndalimin e adoptimeve nga qytetarët amerikanë pati ndikim në dhjetëra familje amerikane që ishin në fazën përfundimtare të procesit.

Radio Evropa e Lirë bisedoi me një nënë që u zotua se do të vazhdojë luftën e saj për adoptim dhe me një tjetër që, me kohë, ia doli të largohet nga Rusia me vajzën e saj të adoptuar.

Mary nuk flet për Prestonin si për djalin që ajo mund ta kishte pasur. Ajo i referohet foshnjës 21 mujore që gjendet mijëra kilometra larg në një jetimore në Rusi si “i biri im”. Nuk bëhet fjalë se “a do të mund” ta sjell Prestonin në shtëpi, por se “kur” mund ta bëjë këtë.

Mary, e cila ka kërkuar t’i përdoret ky pseudonim për shkak të ndjeshmërisë së rastit, dhe bashkëshorti i saj janë një nga 46 familjet amerikane që janë goditur më së shumti nga urdhri i Rusisë për ndalimin e adoptimeve nga amerikanët. Secila nga këto familje e ka parë fëmijën e saj të ardhshëm dy herë, ndërsa ishte në fazën përfundimtare të pritjes 30 ditore para hyrjes në fuqi të vendimit më 1 janar.

Për Maryn sikurse për shumë familje të tjera nga gjithsejtë 46 vendimi nuk nënkupton fundin e kërkesës, por fillimi e një kërkese të re. Disa po vazhdojnë konsultimet me avokatët rusë si parapërgatitje për një betejë të mundshme ligjore, derisa të tjerët i janë drejtuar Lindjes me zotimin për të mos u kthyer në Shtetet e Bashkuara pa një anëtar të ri të familjes.

Mary është njëra nga ata.

Në vend se të presim e të shohim se si rezultojnë punët burokratike, ne e kemi përshtypjen se është më së miri të qëndrojmë në vend, andaj dhe do të udhëtojmë së shpejti. Nuk bëhet fjalë për mosrespektimin e vendimit. Çështja ka të bëjë me atë se bëhet fjalë “për fëmijën tonë”. Ai është fëmija i ynë dhe asnjë nënë apo baba nuk do të vepronin ndryshe”, tha ajo.

Mary që është në fund të 40-ave e që jeton në veri-lindje të Shteteve të Bashkuara tha se adoptimin e kishte përfunduar kah mesi i dhjetorit. Bazuar në marrëveshjen qeveritare për adoptim në mes të SHBA-së dhe Rusisë, periudha 30 ditore e pritjes ishte e vetmja gjë që ndante Maryn nga i biri i saj.

Rusia ka më shumë se 700 mijë jetimë, ndërsa numri i familjeve ruse që janë të gatshme për adoptime është në rënie.

Gjatë viteve të fundit, më shumë fëmijë rusë janë adoptuar nga familjet amerikane se sa nga ato të shteteve të tjera. Shumë nga këta fëmijë kanë nevoja të veçanta.

Aktivistët për të drejtat e fëmijëve kanë dënuar vendimin e autoriteteve, ndërsa organizatat joqeveritare kanë akuzuar Moskën se po bën politikë me pjesën më të ndjeshme të popullit.

Departamenti Amerikan i Shtetit ka kontaktuar autoritetet ruse për këtë çështje me kërkesën që të paktën 46 familjeve që ishin në fazën përfundimtare të adoptimit t'u lejohet kjo gjë.

Familjet e fundit që ia dolën ta largohen nga Rusia para hyrjes në fuqi të vendimit thonë se kanë qenë me fat.

Joelle Ziemian, zyrtare për marrëdhënie me publikun në Washington D.C. ishte në Rusi për ta kthyer vajzën e saj, tri vjeçare Alina, në kohën kur në parlamentin rus po shqyrtohej ideja për ndalimin e adoptimeve.

Ziemian tregon se Alina, e lindur me pengesa në të parë në njërin sy, ishte gjetur në shkallët e një ndërtese, ndërsa e kishte të bashkangjitur certifikatën e saj të lindjes.

Ajo tha se jetimorja në Krasnoyarsk i kishte kërkuar asaj ta merrte Alinën dy ditë para afatit të planifikuar meqë duhej t’ia lëshonte shtratin një fëmijës tjetër jetim.

Po që se nuk do të kishte ndodhur kjo, thotë Ziemian, ajo nuk do të mund të ishte larguar nga Moska atëkohë.

Gruaja tek kontrolli kufitar shikoi secilën faqe të dokumenteve të shumta. Kam pritur ndoshta më shumë se një gjysmë ore derisa ajo u përshëndet dhe më uroi një udhëtim të mirë e një jetë të mirë. Aty fillova të qaj”.(e.p.)
XS
SM
MD
LG